Pas karantinës Shkupi i “mbytur” në mbeturina, edhe Higjiena Komunale në orë policore


Këto janë pamjet thuajse në çdo lagje të Shkupit pas 61 orëve të kaluara në karantinë. Banorët e kryeqytetit janë zgjuar me kontejnerë të stërmbushur dhe grumbuj mbeturinash gjithandej. Ata shprehen të revoltuar por edhe të frikësuar se mos tërheqja e mbeturinave mund të shkaktoj sëmundje ngjitëse tani në kohën kur të gjithë po përballemi me virusin korona.

Qytetarët thonë se të gjithë duhet të jetë të kujdesshëm në ruajtjen e ambientit por për gjendjen e tanishme fajësojnë higjienën komunale e cila sipas tyre që nga e premtja nuk ka dalë të tërheqë mbeturinat.

“Kjo është pakujdesi e ndërmarrjes publike. Mbeturinat janë më të rrezikshme se virusi sipas meje”.

“Më shumë jemi të rrezikuar nga kontejnerët që janë plotë. Unë nuk e di por sot duhet të punojnë, të marrin mbeturinat. Por pse nuk vijnë idenë nuk e kam”.

“Shumë është, por kjo është, mund të mblidhet, ku do e mbledhësh!”.

Drejtori i “Higjienës Komunale”, Abdylsamet Shabani, thonë se gjendja e këtillë pritej. Ai shton se nuk kanë mundur të bëjnë më shumë pasi që kanë funksionuar me orare të shkurtuara, për shkak të pandemisë, edhe pse numri i kontejnerëve për pastrim është i madh dhe kalon mbi 6 mijë.

Mirëpo një pjesë të vogël nuk kemi arritur për arsye se deri në orët e mbrëmjes kemi pasur leje për qarkullim dhe nuk kemi arritur që ta mbulojmë. Deri të shtunën kemi pasur nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 14 pas dite, të shtunën kemi marrë leje që të vazhdojmë deri në ora 20. Nga sot funksionojmë në dy ndërrime nga ora 7 deri në orën 21 – deklaroi Abdusamed Shabani, drejtor i Higjienës Komunale.

Alsat, pyeti edhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike nëse punonjësit e Higjienës Komunale kanë pasur leje për punë. Ministri Mançevski, tha se ndërmarrja Higjiena Komunale, nuk ka nevojë të merr leje të posaçme për punë të bërë punën e saj.

Kështu që Ministria e Administratës dhe Shoqërisë informatike as nuk ka dhënë as nuk do të japë leje për lëvizje të përfaqësuesve të ‘Higjienës Komunale’. Mendoj se bëhet fjalë për dezinformatë të vogël. Në mënyrë tjetër rregullohet kjo lëvizje dhe kjo është publikuar edhe në faqen e Ministrisë – u shpreh Damjan Mançevki, ministër i shoqërisë informatike.

Ministri Mançevski shtoi se të gjitha kompanitë që kanë nevojë vazhdimisht të dalin në terren, nuk marrin leje nga Ministria e shoqërisë informatike por vetëm e informojnë MPB-në se do të jenë në terren. Në kohë të virusit korona qytetarët ndërkohë presin që higjiena komunale jo vetëm të tërheq mbeturinat për çdo ditë por edhe të jetë më e angazhuar në pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve. Alsat

Baby Boo