Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme ka bërë ndryshime edhe në llogarinë e tij personale në Facebook.
Hoti ka ndërruar foton e profilit, ndërkohë ka vendosur edhe një foto tjetër me logon e LDK-së.
E dorëheqje gjatë mesditës nga kreu i partisë ka dhënë, Isa Mustafa.
“Së shpejti, Kuvendi i LDK-së do ta zgjedhë kryetarin e ri”, tha Mustafa në një konferencë për media në Prishtinë.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LDK-ja ka dalë partia e tretë në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Ajo ka fituar rreth 13 për qind të votave dhe ndodhet shumë larg partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka siguruar rreth 47 për qind.
Në vendin e dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës, me rreth 17 për qind.
Kandidat për kryeministër i LDK-së në këto zgjedhje ka qenë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
“Rezultati është shumë i keq për LDK-në. Është një rezultat që nuk e kemi pritur fare”, tha Mustafa.
“Vota e qytetarëve është ajo që respekohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve të mëtejshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërrras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, në një përiudhë shumë të shpejtë kohore”, tha Mustafa.
Ai shtoi se nuk ka asnjë vërejtje sa i përket organizimit të procesit zgjedhor, më 14 shkurt.
Hoti, të dielën vonë, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar me standarde evropiane dhe se ai e merr “përgjegjësinë e plotë” për rezultatin e LDK-së.
Ai tha se “rezultatet janë të tjera me ato që i kemi pritur”.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, LDK-ja ka fituar rreth 24 për qind të votave.