Pas 20 viteve, shuhet gazeta e vetme sportive në Maqedoni


Redaktori i “Makedonski sport”, Boban Radulloviq, e lexon numrin e fundit të gazetës. 20 vite pas publikimit të numrit të parë, gazetës së vetme sportive në Maqedoni i erdhi fundi.

Edhe kjo gazetë nuk arriti t’u rezistojë sfidave të kohës dhe u mbyll për shkak të problemeve financiare.

Raduloviq është në redaksinë e gazetës qysh nga themelimi i saj, në të cilën, siç thotë ai, kanë kaluar pothuajse të gjithë gazetarët sportivë, të cilët më vonë kanë ndërtuar emër të njohur në vend.

“Gjatë këtyre 20 viteve, respektivisht pas dy dekadash, gjithçka që shohim është se hapësira sportive mediatike në Maqedoni, e kam fjalën për gazetarët sportivë, mbi 90% prej tyre kanë punuar në këtë gazetë”, tha Boban Raduloviq, redaktor i “Makedonski Sport”.

Radulloviq, thotë se tirazhi gjatë viteve ka qenë shumë i mirë. Janë shitur nga 7 deri 8 mijë kopje në bazë ditore, kurse në ditët më të mira ka ndodhur që të shiten deri në 10 mijë kopje, shton Raduloviq.

“Gazeta e cila ka qenë e para sa u takon informacioneve sportive në Maqedoni, ka shkuar në histori. Pas 20 vitesh nga themelimi i saj, nesër gazeta do ta publikojë numrin e saj të fundit. Në të do të ketë edhe një letër të shkurtët për t’u thënë lamtumirë lexuesve të saj.”

Në letrën, thuhet se problemet po akumuloheshin me muaj, kurse fundi ka vijuar kur edhe “luftëtarët” e fundit, për këtë lloj të mediave në Maqedoni, e kanë ngritur flamurin e bardhë.

“Me siguri do të na mbajnë mend. “Makedonski sport” po ndalet në numrin 5962. Asnjë medium privat i shtypur, nuk ka festuar 20 vite ekzistim. Para një viti, u shuan “Vest”, “Utrinski”, “Dnevnik, kurse ja tani fatin e njëjtë e përjetojmë edhe ne, 365 ditë më vonë”, nga Makedonski Sport.

Gazeta e parë sportive në Maqedoni, ka filluar me punë në maj të vitit 1998, me disa persona entuziastë, për të cilën Radulloviqi thotë se i shfrytëzonin resurset dhe veturat e tyre për të informuar për ngjarjet sportive në vend.

E gjithë kjo më vonë është shndërruar në punë më serioze, e cila ka rezultuar me publikimin e pothuajse 6000 edicioneve. Gazeta “Makedonski sport” ditëlindjen e saj duhej të festonte më 11 maj të këtij viti.

Baby Boo