Partitë mohojnë fushatën e parakohshme


Aktivitetet e shtuara partiake që prej disa javësh zhvillohen në terren, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja nuk i konsiderojnë si fushatë e parakohshme zgjedhore. Nga partia e Zoran Zaevit, e cila ka realizuar disa tubime për vetëm disa javë me moton “Në rrugë të drejtë”, thonë se aktivitetet i kanë filluar para se të kishte marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për VMRO-DPMNE-në, fushata zgjedhore do të fillojë kur të shpallen zgjedhjet.

Sigurisht se nuk bëhet fjalë për fushatë parazgjedhore. Ka të bëjë me detyrimin tonë para qytetarëve që t’i njoftojmë me aktivitetet që kemi punuar por edhe të dëgjojmë prej tyre propozimet për programin e ri zgjedhor – deklaroi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Absolutisht nuk pajtohem se është filluar shumë herët fushata e VMRO-DPMNE-së. Aktivitetet e VMRO-DPMNE-së nuk janë ndërprerë me vite. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe i dëgjojmë problemet dhe hallet e tyre – tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Partia e Hristijan Mickoskit që në fund të muajit shtator ka aktivizuar karvanin e takimeve me qytetarët “Për ripërtëritjen e Maqedonisë”. KSHZ-ja thotë se në këtë periudhë, nuk ka kompetencë për monitorimin e këtyre aktiviteteve partiake.

KSHZ-ja nuk ka kompetenca që t’i sanksionojë këto dukuri të cilat ju i përmendët. Prej ditës së shpalljes së zgjedhjeve ne kemi detyrim ligjor që t’i ndjekim por tani nuk kemi asnjëfarë detyrimi ligjor – deklaroi Enver Salihi, anëtar i KSHZ-së.

Organizimet dhe takimet e shumta në numër, partitë pretendojnë se i mbulojnë me burimet partiake që posedojnë. Partia opozitare, në këtë rast, ngre dyshime nëse partia në pushtet i shfrytëzon burimet shtetërore.

Vendosemi vetëm me një tezgë e cila është pronë e partisë dhe shfrytëzohet zërimi i partisë. Nuk kemi asnjëfarë implikimi financiar. A përdoret si mjet për agjendën partiake të LSDM-së gjithçka që është në pronë të shtetit? -u shpreh Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Sipas mundësive tona financiare i organizojmë aktivitetet e këtilla partiake dhe do të vazhdojmë t’i organizojmë. Në fund të vitit, të gjitha këto aktivitete dhe fushata do të përfshihen në raportin financiar i cili, sigurisht, do të jetë i qasshëm për opinionin – theksoi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

KSHZ-ja nuk ka kompetencë as për monitorimin financiar të këtyre aktiviteteve.

Monitorimin e harxhimeve financiare e bën Enti shtetëror i Revizionit dhe kemi ligj për financimin e partive politike. Gjithashtu, edhe në këtë situatë, deri sa nuk është hapur fushata, KSHZ-ja nuk ka kompetenca ligjore – potencoi Enver Salihi, anëtar i KSHZ-së.

Prej disa muajsh Enti shtetëror i Revizionit është pa drejtor dhe praktikisht jofunksional duke lënë kështu të pashqyrtuara raportet financiare të partive politike. Për dallim prej asaj që pretendojnë eksponentët politik, organizimet për fushatat e dy partive duket se përfshijnë më shumë se tezga. Një pjesë e tyre janë organizuar në salla gjigande dhe me një numër më të madh të pjesëmarrësve, përfshirë edhe personalitete nga vendet e jashtme që pozicionohen në mbështetje të politikave të njërës prej partive.

Baby Boo