Partitë kanë propozuar kandidatët e tyre për anëtarë të KSHZ-së por seanca nuk është thirrë


Sipas burimeve të TV21, kjo ndodhi pasi VMRO-DPMNE ka kërkuar që marrëveshja e arritur në Klubin e Deputetëve për KSHZ-në, financimin e partive politike dhe qeverinë sipas modelit të Përzhinës, të votohen veç e veç dhe jo në paketë siç kërkon pushteti. Gjithashtu në Ligjin për financim të partive politike, opozita ka kërkuar edhe ndryshim në nenin 165 nga Kodi Penal. Burime nga grupet e deputetëve, megjithatë, janë optimistë se deri në fund të javës mund të votohet ajo që është dakorduar në takimin e liderëve duke e përfshirë edhe KSHZ-në.

“Me ketë u pajtuam që punimet të vazhdojnë sot dhe me gjasa se do kemi përparim edhe tash jemi duke punuar në Kuvend, që ta rrumbullaksojmë gjithë tekstin e ligjit dhe gjithë procedurën dhe jam i bindur se brenda kësaj jave do ta kemi të themeluar dhe të zgjedhur Komisionin Shtetëror Zgjedhor, me gjithë 7 anëtarët e vet, përfshirë dhe ligjin për financimin e partive politike, ligjin për kodin zgjedhor si dhe ligjin e Qeverisë, për të cilat ekziston dakordësim në takimin e liderëve”, tha Artan Grubi.

Nga LSDM thonë se do të ketë KSHZ , do të ketë edhe Referendum por nuk do të ketë amnisti për kriminelët.

“Maqedonasit me të gjithë bashkëqytetarët e tyre nga të gjitha komunitetet e tjera etnike që jetojnë në Maqedoni, lëvizin përpara, atje ku e kanë vendin, në BE dhe NATO, krah për krah me fuqitë e mëdha. Si parti e përgjegjshme, së bashku me të gjitha subjektet politike të cilat janë në anën e NATO-s dhe BE-së do të mundësojmë që vullneti i qytetarëve të respektohet dhe të realizohet në tërësi. Do të fitojë vullneti i popullit. Do të formohet KSHZ, do të mbahet edhe referendum, ndërsa amnisti për kriminelët nuk do të ketë”, u shpreh Kostadin Kostadinov – LSDM.

Kurse VMRO-DPMNE kërkon kohë dhe ditët në vijim do të ketë një epilog nga ajo që u morën vesh liderët. Anëtar në KSHZ ka kërkuar edhe Aleanca për Shqiptarët, kreu i kësaj partie Sela kërkon që grupi parlamentar i Besës të definohet se a janë në pushtet apo opozitë, në të kundërtën, të zhbëhet si i tillë.

“Në qoftë se me të vërtetë janë opozitar le të nisin prej parlamenti dhe le ta ndajnë grupin parlamentar të cilin e kanë të përbashkët. Një nga argumentet që një anëtar i KSHZ-së i takon Aleancës për shqiptarët, është pikërisht ky fakt. Lëvizja Besa, është pjesë e Qeverisë dhe nuk është në opozitë”, tha Ziadin Sela – APSH.

Kryetari i KSHZ-së do ti takojë VMRO-DPMNE-së. Kjo parti ka propozuar për kryetar Oliver Darkovskin ndërsa për anëtare Elizabeta Postollovskën. Socialdemokratët në KSHZ do të përfaqësohen nga Borçe Kondarko, Janakie Vitanovski dhe Radica Ristevski. BDI do të përfaqësohet me Ditmire Shehun, ndërsa partia e Bilall Kasamit me Enver Salihun.

Përgatiti: Zimer Jashari

Baby Boo