Partitë e vogla, të pavarura në zgjedhjet lokale


Deputetët e partive më të vogla që janë pjesë e koalicionit në pushtet, paralajmëruan se po pavarësohen, përkatësisht se do të veprojnë në mënyrë të pavarur por njëkohësisht thanë se do ta përkrahin shumicën. Këto janë Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes demokratike, Maja Moraçanin dhe Mirosllav Bogdanovski nga RDM-së, si dhe Bobi Mojsoski dhe Monika Zajkova nga PLD-ja. A janë këto kalkulime para zgjedhjeve lokale ose dëshirë politike që të veprohet në mënyrë të pavarur? Në këtë temë u debatua në emisionin e djeshëm Click Plus në TV21. Kryetari i PLD-së, Goran Milevski tha se ende po bëjnë sondazhe nëpër organizatat komunale.

“Vlerësimi ynë është se mund të bëjmë rreth 50 deri 60 lista. Deri në mes të marsit, ky proces do të përfundojë dhe gjatë muajit mars do të sjellim vendim. Dëshira ime është që të veprojmë në mënyrë të pavarur për shkak se si parti ju duhet të promovoheni para qytetarëve, ta promovoni ideologjinë tuaj, të merrni anëtarë të rinj, pak freski. Për shkak se kur jeni një kohë të gjatë në koalicion me një parti, bëheni të panjohshëm në skenën politike”, tha Goran Milevski – kryetar i PLD-së. Për paraqitje të pavarur të RDM-së, vendimi u soll në kongresin e partisë.

“Këto janë vendime që i kemi sjellë edhe vitin e kaluar edhe vitin para vitit të kaluar në planifikimin strategjik të partisë dhe ne kemi filluar me përgatitjet për paraqitjen tonë në zgjedhjet lokale. Mendojmë se kjo është mënyra e mirë që çdo parti ta prezantojë programin e saj para qytetarëve, të marrë përkrahje aq sa do të marrë”, theksoi Maja Moraçanin – Kryetare e RDM-së.

Hapin e këtillë të partnerëve të koalicionit, kryeministri Zoran Zaev e vlerësoi si legjitim, por tha se momenti nuk është adekuat, para se gjithash për shkak të pohimit të opozitës se pushteti nuk ka shumicë të qëndrueshme. Megjithatë prej këtyre partive thanë se nuk mendojnë të negociojnë për shumicë të re parlamentare me VMRO-DPMNE-në. Dje edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi konfirmoi se ato do të veprojnë në mënyrë të pavarur nga grupi që e udhëheq LSDM-ja. Tani për tani, ai tha se nuk ka paralajmërime nëse do të formojnë grup të deputetëve.

Baby Boo