Parlamenti hungarez kriminalizon ndihmën e emigrantëve


Parlamenti hungarez ka miratuar një ligj që kriminalizon avokatët dhe aktivistët që ndihmojnë azilkërkuesit.

Kushdo që ndihmon emigracionin e paligjshëm do të përballet me një vit burg. Qeveria e Viktor Orban, e ka quajtur legjislacionin si ‘ligji Stop soros’, duke iu referuar filantropistit miliarder që e akuzon se mbështet emigrantët myslimanë.

Votimi në Budapest ndodhi disa orë pasi një numër liderësh të BE ranë dakord të zhvillonin bisedime për rishikimin e rregullave të azilit. Hungaria thotë se emigracioni kërcënon sigurinë kombëtare, por qëndrimi i saj i ashpër dhe ligji i ri, janë përballur me kritika të shumta ndërkombëtare.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, i kërkoi zyrtarëve hungarezë të rrëzojnë ligjin dhe ekspertë ligjorë nga Këshilli i Europës apeluan që votimi të shtyhet deri sa të rishikoheshin masat. Ndërsa një raport i Komisionit të Venecias, nënvizon se legjislacioni hungarez kriminalizon edhe aktivitete që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me materializimin e emigracionit të paligjshëm.

Ligji i ri, amendon tetë ligjet ekzistuese dhe prezanton një krim të ri, atë të lehtësimit të emigracionit të paligjshëm. Sipas ligjit të ri, kushdo mund të burgoset nëse punon për ose me organizata jo qeveritare që janë të angazhuara në ndihmë të azilkërkuesve.

Masat po ashtu forcojnë edhe rregullat e azilit në mënyrë që askush të mos përpiqet të hyjë në Hungari nga një vend i tretë ku ata nuk janë të kërcënuar nga përndjekja duke pretenduar mbrojtje. Madje deputetët hungarezë miratuan një amendim të kushtetutës që deklaron se popullata të huaja nuk mund të vendosen në Hungari, duke e bërë kështu të jashtëligjshme përpjekjen e komisionit evropian për të sistemuar azilkërkuesit nga Italia dhe Greqia në shtete të tjera të BE.

Top Channel

Baby Boo