Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve


BIRN ka zbuluar se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani mardhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.Kontrata me ‘Majorelle’ u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha, Ministre e atëhershme për Integrime Evropiane nga radhët e PDK-së në qeverinë e koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kjo kontratë u vazhdua më pas në mars të vitit 2019.

Një prej pak rezultateve konkrete të marra në këmbim të 168,000 eurove ishte një raport pesëfaqësh me një anglishte të dobët të cilën kjo kompani e kishte adresuar te Qëndrim Gashi, Ambasadori i Kosovës në Francë. Raporti është i datës 20 shtator 2019.Raporti thotë se: “Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar shpejt në modifikimin e kufirit territorial dhe ka vënë në tavolinë debatin/tabunë për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit…

”Ky raport gjithashtu vë në dukje se rivendosja e kufijve të Ballkanit në tavolinën e bisedimeve ishte “e befasishme, që ngrit frikë, shqetësim për rinisjen e luftës ballkanike”, duke shtuar se: “Kjo çështje shpesh është keqkuptuar dhe është keqinterpretuar nga media dhe politika franceze, duke e parë këtë si një rihapjeje të mundshme të kutisë së Pandorës dhe të një rreziku të shtuar që kjo mund të paraqesë ‘domino efekt’ në rajon.

”Raporti i kompanisë e bën të qartë se ndryshimi i kufijve ishte agjenda që po ndiqej nga klienti i saj kosovar dhe se këto përpjekje po rezultonin të pasuksesshme.“Pozicioni kosovar, që tregon se si modifikimi i territorit, përkundrazi, mund të shërbejë për qetësimin e marrëdhënieve dhe të jetë një mënyrë për rifillimin e dialogut me Serbinë ka hasur në vesh të shurdhër”, thotë ky raport.

Raporti vjen në përfundim se përkundër mbështetjes së SHBA-së dhe zbehjes së tabusë rreth kësaj çështjeje në Evropë, mundësia për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në ndryshimin e kufijve, e cila potencialisht kishte mundur të arrihej gjatë viteve 2018 dhe 2019, po shihte fundin e saj. Sipas Majorelle, kjo ishte bërë për shkak të “përçarjeve të brendshme dhe kundërshtimeve ndaj paqes, mungesës së mbështetjes nga të dy palët…”Operacioni PDKIdeja e shkëmbimit territorial u ngrit nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili publikisht përkrahu këtë ide në Forumin Evropian 2018 në Alpbach, Austri, kur ishte pjesëmarrës i një paneli diskutimi me homologët e tij nga Ballkani Perëndimor.

I pyetur nga moderatori i panelit nëse ai ishte i gatshëm ta hiqte dorë nga territori i Kosovës në këmbim të një zgjidhjeje finale me Serbinë, Thaçi në mënyrë spektakolare u përgjigj: “Po, unë jam në favor të korrigjimit të kufijve”.Ramush Haradinaj, kryeministër i qeverisë së fryrë të koalicionit PAN, u përplas me Thaçin, duke shprehur kundërshtimin e tij kategorik ndaj ndryshimit të kufijve. Sidoqoftë, duket se tani ai mund të mos ketë qenë në dijeni se një ministri e drejtuar nga PDK në qeverinë e tij, po administronte një kontratë lobimi për “pozicionin e Kosovës” në favor të një marrëveshje paqeje të bazuar në ndryshimin e kufijve.

Dhurata Hoxha, ministrja që u fut në kontratë me Majorelle, është një ish-këshilltare e Thaçit, dhe një anëtare e shquar e PDK-së, parti kjo të cilën Thaçi e kishte themeluar dhe udhëhequr deri sa mori detyrën si president në Prill të vitit 2016.Kur u kontaktua nga BIRN ditën e mërkurë, Hoxha deklaroi se “[qëllimi i] kontratës ishte të lobojë për liberalizimin e vizave, por unë asnjëherë nuk i kam shikuar raportet që janë dërguar nga ‘Majorelle’. Unë nuk e di se çfarë ka raportuar ajo kompani, kjo ishte detyra e sekretarit [të Ministrisë] dhe menaxherit të kontratës.”Kur u pyet se kush ishte menaxheri i kontratës, Hoxha tha: “ka kaq shumë kontrata në atë ministri, nuk e di kush e ka mbikëqyrur këtë.”Përralla e dy sekretarëveSidoqoftë, gjykuar nga korrespodenca në të cilën BIRN ka pasur qasje, përfshirë tri letra për dy sekretarë të ndryshëm, kjo nuk ishte një kontratë e zakonshme.

Baby Boo