PARAQITEN MBI 1 MIJË E 200 TË SËMURË QË DO TË VOTOJNË PËR REFERENDUM (VIDEO)


Nga gjithsej 80 komisione komunale zgjedhore, në 56 prej tyre janë regjistruar 1.260 persona të sëmurë dhe të palëvizshëm, për të votuar në shtëpitë e tyre në referendumin për marrëveshjen e Greqisë. Afati për paraqitjen për votim të personave të sëmurë dhe të palëvizshëm ka përfunduar më 22 shtator në mesnatë. Këto persona, bashkë me 1.558 të burgosur, sipas listës së votuesve, personat në paraburgim shtëpiak, si dhe 2.694 votues nga diaspora, për pyetjen e referendumit do të votojnë më 29 shtator, një ditë para votimit të përgjithshëm në vend.

Por, votimi i parë në referendumin e sivjemë do të jetë të mërkurën më 26 shtator, kur në ambientet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, të drejtën e tyre të votës do ta shfrytëzojnë 104 anëtarët dhe zëvendës anëtarët e këshillave zgjedhor të cilët do ta zbatojnë votimin në përfaqësitë diplomatike-konzulare të Maqedonisë në diasporë.

Ndërkohë KSHZ ka vijuar këto ditë me trajnimin e këshillave zgjedhor të cilët në ditën e referendumit do të përbëhen nga 6 persona për çdo vendvotim. Ndërkaq, procesin e referendumit do ta monitorojnë edhe organizata të ndryshme joqeveritare, delegacione të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara nga KSHZ. Afati për paraqitjen e vëzhguesve skadon sonte në mesnatë. Fushata për referendumin e 30 shtatorit do të zgjasë deri më 27 shtator në mesnatë, pasi heshtja parazgjedhore në referendumit zgjat 48 orë para ditës së votimit.

Të drejtë vote do të kenë 1.806.336 qytetarë, ndërsa sipas kalendarit të konfirmuar nga KSHZ, materiali zgjedhor komisioneve komunale do të ju shpërndahet 72 orë para ditës së votimit. Më pas komisionet komunale materialin do të duhet ta shpërndajnë nëpër vendvotime një ditë para votimit. Kutitë e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00, ndërsa rezultatet preliminare pritet të mësohen që në orët e mesnatës.

https://youtu.be/-SNL-X1ZR2E

Baby Boo