Paralajmëron këshilltari i Pacollit: Së shpejti do të publikohen dokumentet për bashkëpunëtorët shqiptarë të UDB-së


Këshilltari i Begjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka paralajmëruar se posedon më shumë se 56 mijë faqe të dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, që tregojnë krimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia, paramilitarët dhe bashkëpunëtorët lokalë të UDB-së.

Zyberaj, përmes një postimi në në Facebook, ka thënë se këto dokumente do t’i publikojë bazuar në vendimet e institucioneve të Kosovës.

“Publikimi i kësaj pjese, (ku përfshihen emrat e bashkëpunëtorëve shqiptarë, e një pjesë e tyre vazhdojnë të shërbejnë në sistemin tonë shtetëror) do të bëhet, bazuar në vendimet e institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Zyberaj.

Postimi i plotë i Zybrajt:

“Janë siguruar më shumë se 56 mijë faqe të dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, që tregojnë krrimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia, paramilitarët dhe bashkëpunëtorët lokal të UDB-së serbe. Së shpejti do të publikohen të gjitha, duke filluar me ato që tregojnë rolin e Beogradit në të gjitha krimet në Kosovë. Gjithashtu, kjo dosje përmban edhe emrat, rolin dhe veprimtarinë e bashkëpunëtorëve lokale të UDB-së që janë të përfshirë në krimet kundër shqiptarëve. Publikimi i kësaj pjese, (ku përfshihen emrat e bashkëpunëtorëve shqiptarë, e një pjesë e tyre vazhdojnë të shërbejnë në sistemin tonë shtetëror) do të bëhet, bazuar në vendimet e institucioneve të Kosovës. Kjo kërkon në mënyrë urgjente miratimin e ligjit të lustracionit në mënyrë që këto dokumente të deponohen në organet e shtetit dhe këta persona të përballen me drejtësinë siç duhet”, ka shkruar ai.

Zyberaj thotë se kjo kërkon në mënyrë urgjente miratimin e ligjit të lustracionit në mënyrë që këto dokumente të deponohen në organet e shtetit dhe këta persona të përballen me drejtësinë sic duhet.

Zyberaj në dhjetor të vitit të kaluar ka njoftuar se shefi i atëhershëm diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka transferuar në Prokurorinë e Kosovës dosjet për krimet e luftës dhe gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Këto dosje paraqesin fakte dhe dëshmojnë se Serbia kishte një politikë shtetërore të orkestruar gjenocidale kundër Kosovës e cila ishte në terren e zbatuar nga ushtria jugosllave, MUP-i, grupet paramilitare të kontrolluara nga Beogradi dhe grupet e tjera lokale të armatosura serbe që kryenin spastrimin etnik dhe vrasjet masive”, kishte thënë Zyberaj.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës vitin e kaluar kishte paralajmëruar se më shumë se 10 mijë dokumente me të cilat pretendohet të dëshmohet për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 1998-‘99 do t’i dorëzohen Prokurorisë Speciale.

Këto dokumente, sipas Pacollit dhe këshilltarëve të tij, janë siguruar së fundi përmes rrugëve ligjore nga burime të ndryshme, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.

Baby Boo