Paralajmërimi/ Nën kërcënimin e temperaturave të larta, që do godasin gjithmonë e më shpesh tokën

Ajo që konsiderohet zyrtarisht “nxehtësi e rrezikshme”, në dekadat e ardhshme mund të godasë pjesën më të madhe të botës të paktën tri herë më shpesh, pasi ndryshimet klimatike janë përkeqësuar, sipas një studimi të ri.

Në pjesën më të madhe të gjerësive gjeografike të begatshme të Tokës, temperaturat e larta dhe lagështia që ndihen si 103 gradë (39.4 gradë celsius) ose më e lartë, statistikisht duhet të ndodhin 20 deri në 50 herë në vit nga mesi i shekullit, tha një studim i publikuar në revistën Nature Climate Change.

Deri në vitin 2100, indeksi (treguesi) brutal i nxehtësisë mund të zgjasë për pjesën më të madhe të verës, në vende si juglindja e SHBA-së, tha autori i studimit.

Dhe, është shumë më keq për vendet tropikale. Studimi tha se një indeks i nxehtësisë i konsideruar “jashtëzakonisht i rrezikshëm”, i cili si ndjesi kalon 124 gradë (51 gradë celsius) – diçka që tani ndodh rrallë – deri në fund të shekullit mund të godasë një brez tropikal, që përfshin Indinë, nga një deri në katër javë brenda vitit.

“Kjo është diçka e frikshme”, tha autori i studimit, Lucas Zeppetello, shkencëtar i klimës në Harvard.

“Kjo është diçka ku potencialisht miliarda njerëz do të ekspozohen ndaj niveleve jashtëzakonisht të rrezikshme të nxehtësisë në baza të rregullta. Pra, diçka që nuk ka ndodhur pothuajse kurrë më parë, do të ndodhë çdo vit”.