Paraburgim për gruan që rrahu burrin në spital


Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurës V.N., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Lëndim i rëndë trupor”, dhe “Dhuna në familje”.

Rasti ka ndodhur më 14 janar 2021, në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”, në Gjakovë, pikërisht në repartin e neurologjisë, ku e pandehura me dashje i shkakton lëndime të rënda viktimës së ndjeshme, të dëmtuarit, bashkëshortit të saj A.N.
I dëmtuari përderisa ishte duke u trajtuar në spital, e pandehura e revoltuar se duhej të kujdeset për të, e sulmon fizikisht të dëmtuarin dhe e godet me shuplakë në regjionin e fytyrës, e në pjesë të ndryshme të trupit.

“Gjithashtu nga kohë e pacaktuar e deri më 18 janar 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët, e pandehura shkakton dhunë në familje, keqtrajtim fizik dhe psikik, të dëmtuarit, bashkëshortit të saj A.N, duke e ofenduar ne mënyrë të vazhdueshme, kanosur dhe duke e goditur fizikisht, ku tek i dëmtuari ka shkaktuar dhembje fizike dhe shqetësim të madh emocional”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurës V.N., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, e cila është aprovuar nga Gjykata kompetente.
E pandehura, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 18 janar 2022.

Baby Boo