Para festës së Bajramit prap rriten çmimet, pasi u ulën!


Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot me propozim të Ministrisë së Ekonomisë miratoi ndryshimin e vendimit për përcaktimin e çmimeve më të larta të pemëve dhe perimeve në tregtinë me pakicë, me çka rriten çmimet më të larta të përcaktuara, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Ekonomisë njoftoi se në bazë të konsultimeve me importuesit më të mëdhenj të pemëve dhe perimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe duke marrë parasysh të dhënat e fundit nga Drejtoria e doganave, ka konstatuar se çmimi i importit të disa llojeve të pemëve dhe perimeve është rritur, për shkak të festave të ardhshme.

“Konstatuam rritje të çmimeve të importit deri në 30%, veçanërisht për domate, tranguj dhe fasule. Kontrollet e inspektimeve dhe institucioneve kompetente do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim me qëllim që të mos dëmtohen qytetarët, buxheti i shtetit, si dhe të shtypet ekonomia gri dhe të bëhet më konkurrues prodhimi vendorë”, tha ministri i Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi.

Sipas vendimit të ri, çmimet e reja më të larta për pemët dhe perimet janë:

Domate – deri në 95 denarë për kilogram,
Tranguj – deri 95 denarë për kilogram,
Qepë – deri 70 denarë për kilogram,
Speca të gjelbër – deri në 100 denarë për kilogram,
Fasule – deri në 95 denarë për kilogram,
Thjerrëza – deri në 110 denarë për kilogram,
Banane – deri në 75 denarë për kilogram,
Portokall – deri 60 denarë për kilogram,
Mandarina – deri në 65 denarë për kilogram,
Limon – deri në 60 denarë për kilogram.
Në rastin e lulelakrës hiqet kufizimi për çmimin më të lartë.

Ky kufizim i çmimeve më të larta të frutave dhe perimeve në tregtinë me pakicë mbetet i vlefshëm deri më 30 prill 2023.

Kujtojmë se sipas vendimit të javës së kaluar të Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të 11 llojeve të pemëve dhe perimeve, këto ishin çmimet:

Domate – 70 denarë për kilogram,
Tranguj – 75 denarë për kilogram,
Qepë – 60 denarë për kilogram,
Lulelakër – 70 denarë për kilogram,
Speca – 90 denarë për kilogram,
Groshë – 75 denarë për kilogram,
Thjerrëza – 110 denarë për kilogram,
Babane – 70 denarë për kilogram,
Mandarina – 60 denarë për kilogram,
Portokall – 55 denarë për kilogram,
Limona – 55 denarë për kilogram,
Qeveria më 28 shkurt miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë. Ndërsa, nga 16 marsi hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit. Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.

Baby Boo