Palmer: Amerika do të vazhdon ta ndihmojmë Kosovën, qeveria të jetë e përgjegjshme


Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, ka komentuar për situatën në Ballkanin Perëndimor ndërsa rajoni po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara janë kontribuuesi kryesor jo vetëm drejtpërsëdrejti në vendet individuale të Ballkanit Perëndimor, por edhe në organizatat ndërkombëtare që e kanalizojnë asistencën e tyre drejt rajonit.

Palmer foli edhe për situatën në marrëdhënien Kosovë – Serbi gjatë kësaj periudhe pandemie botërore.

“Mendoj se në të vërtetë bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kosovës për çështjen e koronavirusit është mjaft prekës. Është një nga ato pak lajme të mira, pozitive, që kanë dalë nga e gjithë kjo (situatë). Ka rritje të tregtisë. Ka bashkëpunim për sa i përket kujdesit mjekësor. Kosova dhe Serbia, mendoj se kanë nënshkruar të dyja iniciativën e ‘Korsive të Gjelbra’. Në fakt mendoj se të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor tani marrin pjesë në këtë iniciativë, e cila është krijuar për të lehtësuar, përshpejtuar fluksin e ushqimeve dhe ilaçeve në këtë periudhë krize. Kështu që është inkurajuese të shohësh që Serbia dhe Kosova gjejnë pika të përbashkëta dhe punojnë së bashku për të trajtuar këtë sfidë të përbashkët“, tha zoti Palmer.

Më konkretisht për asistencën për Shqipërinë dhe Kosovën, zoti Palmer rikonfirmoi angazhimin amerikan edhe në këto kohëra të vështira.

“Para së gjithash, është ndihma financiare që po shkon direkt në vendet në fjalë. Këto fonde shkojnë për të blerë komplete testesh, pajisje mbrojtëse personale, reagentë që janë kimikatet e domosdoshme për të kryer testimin, pajisje dhe komplete dezinfektimi në mënyrë që objektet publike të mund të mbahen të sigurta. Ekziston edhe asistenca që ne do të vazhdojmë të japim në të dy vendet në forcimin e aftësive institucionale. Është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë e aftë dhe në përgjigje të nevojave të qytetarëve, dhe kjo kërkon zhvillim institucional. Kjo është diçka për të cilën Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë ndër vite. Pra, përkrahja e mediave të pavarura dhe lirisë së medias, për shembull është pjesë e punës për t’u siguruar që qeveria të jetë e përgjegjshme dhe të japë zgjidhje. Mbështetja e një gjyqësori të pavarur siguron që qytetarët të kenë qasje në institucione që janë të konceptuara për të kufizuar, kanalizuar dhe përqëndruar veprimet e qeverisë. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në Kosovë, Shqipëri dhe gjetkë në rajon për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt kërcënimit mjekësor nga virusi dhe mundësimin e strukturave institucionale që bëjnë të mundur që qeveritë të jenë efektive dhe të përgjegjshme ndërsa përballen me këtë sfidë“, tha zoti Palmer

Baby Boo