Pakoja e pestë ekonomike pritet që së shpejti të bëhet realitet


Pritet që pakoja e pestë ekonomike së shpejti të bëhet realitet. Në Buxhet ka para për këtë qëllim, thonë nga Qeveria. Sipas paralajmërimeve të tyre, së shpejti priten konsultime edhe me sindikatat, odat ekonomike dhe partnerët e tjerë social. Qëllimi, siç shtojnë, është përcaktim i grupeve më të goditura nga kriza me kovid. Kryeministri Zaev siguron se Qeveria edhe në të ardhmen do ta përkrahë masën për subvencionim të rrogave dhe për ndihmë të kompanive. Ai shtoi se fuqia financiare e Qeverisë për ndihmën e re do të varet nga kohëzgjatja e krizës me kovid.
“Shteti tashmë ka siguruar 50 milionë euro për programin Kovid, në mënyrë shtesë ka siguruar 17 milionë euro për rroga, në resorët kemi diku rreth 30 milionë euro. Shpresojmë se nuk do të jenë përsëri 12 muaj, se do të jenë një, dy, tre muaj, varët nga vaksina. Nëse kriza zgjat më gjatë, mos dhasht Zoti, do të bëjmë rebalanc të buxhetit dhe do të sigurojmë para.” – deklaroi Kryeministri Zoran Zaev.

Do të insistojmë që paratë e pakos së pestë të ndahen në mënyrë më të drejtë punëtorëve dhe sektorëve më të goditur nga kriza, theksojnë nga Konfederata e sindikatave të pavarura. Me shpresë se së shpejti do të thirren në bisedë me qeveri, sugjerojnë se target i pakos së re ekonomike duhet të jetë sektori i hotelierëve. Shtojnë se në këtë sektor humbjet janë më të mëdha shkaku i orarit të shkurtuar të punës.
“Ne si sindikata përsëri kërkojmë që paratë të dedikohen për punëtorët, të bëhet përpjekje paratë të lëshohen në xhirollogaritë e tyre. Shikoni se edhe sot ka kompani të papërgjegjshme, ku edhe pse janë lëshuar mjetet, disa prej punëdhënësve nuk e respektuan këtë vendim duke gjetur mënyra të ndryshme që t’u mos paguajnë punëtorëve.” – tha Marjan Ristevski nga Konfederata e sindikatave të pavarura.

Se cilat masa do të përfshihen me pakon e pestë do të varet prej punëtorëve, sindikatave, odave dhe të gjithë atyre që janë prekur në këtë proces, tha Zaev. Përkrahja qeveritare do të jetë e ngjashme si përkrahja e deritanishme. 30% të kompanive morën përkrahje në pjesën e pagesës së rrogave dhe për ruajtjen e vendeve të punës. Përndryshe, mbi një miliard euro Qeveria shpenzoi me katër pakot e tjera për ndihmë të kompanive në krizën që e shkaktoi virusi kovid.

Baby Boo