Pajaziti: Çështja shqiptare në Maqedoni, një ‘makinë e prishur’ që s’po ndizet


Muhamer Pajaziti
Edhe viti 2020 ishte një vit i mbrapshtë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Në lajme sërish u përsëritën, u sjellën e u pshtjellën problemet e tyre.

Shqiptarët pa shtëtësi, shqiptarët popull i njëzet përqindëshit, gjyqësia seletive ndaj shqiptarëve, dora e shtetit nuk duket në rajonet shqiptare, e shumë probleme tjera e refrene që i dëgjojmë pa ndalur, sidomos në dy dekadat e fundit. Tani cështja shqiptare në këtë vend duket sikur një makinë e vjetër, e prishur që ka ngecur në një skaj e mbuluar nga pluhuri dhe asesi nuk ndizet.

E keqja është se këto halle të mëdha i dëgjojnë dhe i përjetojnë vetëm shqiptarët, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, Tirana por edhe Prishtina i mbyllin veshët dhe vazhdojnë avazin e vjetër. E anën tjetër, partitë politike shqiptare nuk arrijnë të organizohen e mobilizohen në rezistencë ndaj pushtetit maqedonas për qëllime politike, për ta avansuar statusin e tyre juridiko-kushtetues.

Sipas projeksionit maqedonas shqiptarët duhet të jenë këtu vetëm për të paguar taksa, tatime e jo si qytetarë të barabartë që do të duhej ti gëzonin të drejtat e tyre themelore e shtetë-formuese. Ata me gjasë duhet të ndjekin rrugën e baballarëve të tyre për të ikur nga vendi e për të punuar si “gastrabajter” në Gjermani e vende tjera evropiane.

Ndërkaq, politikanët maqedonas janë në gjendje të bisedojnë e ti zgjidhin hallet e tyre me fqinjët e gjithë botën, por jo edhe me shqiptarët. Me grekët arritën marrëveshje, e ndryshuan emrin, tani me bullgarët po bisedojnë për gjuhën dhe figurat historike, më vonë do të flasin edhe me Serbinë për Kishën Ortodokse. Janë në gjendje të bisedojnë edhe me djallin, e shqiptarët i shohin armiq të përbetuar. Shqiptarët i quajnë indianë, u thonë se shtohen si lepuj, bërtasin në rrugë e stadium: shqiptari i mirë shqiptari i vde*kur.

Por, pse shfaqet gjithë kjo urretje?! Shqiptarët nuk e kontestojnë shtetin e Maqedonisë së Veriut. Ata asnjëherë s’janë shprehur kundër identitetit maqedonas, sado qoftë ai i kontestueshëm. Edhe luftën kur e bënë, nuk e bën për territore, por vetëm për realizimin e barazisë, lirive dhe të drejtave themelore.

Përpos kësaj, ata me taksat e tyre dhe remitencat që vijnë nga djersa e mërgimtarëve e mbajnë gjallë ekonominë e vendit. Kontribuojnë në çdo sferë të jetës institucionale, përfshirë, ekonominë, arsimin, shëndetësinë… Së fundi, me përpjekjet e tyre luftuan edhe për kombëtaren e Maqedonisë, siç kanë dëshirë ta quajnë shumë politikan maqedonas. Maqedonia vetëm të mira ka parë nga shqiptarët etnik.

Baby Boo