Padia e Ramës për shpifje, Haradinaj: I qëndroj çdo gjëje që deklaroj


Kryeministri në ikje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në çështjen e shkëmbimit të territoreve, ka pasur investim politik.

Në një intervistë për Faxnews, i pyetur për padinë që kryeministri Rama do të ngrinte ndaj tij për shpifje për shkak të akuzës së tij të fundit se Rama së bashku me Vuçiç dhe Thaçi do të grabisnin 10 miliardë euro nga Trepça, Haradinaj tha se pas çdo gjëje që ka deklaruar i qëndron asaj që ka folur.

Ndër të tjera Haradinaj tha se miniera e Trepçës me shkëmbimin e territoreve do të kalonte në anën e Serbisë dhe në atë moment që do të kalonte, Serbia do të fitonte 10 miliardë euro.

‘Mendoj se ka pasur investim politik dhe të gjithanshëm në çështjen e shkëmbimeve të territoreve. Ky ka qenë projekti më i gabuar për shqiptarët.

Nëse Kosova vendos për union me Shqipërinë është diçka e mirë, por që të ndahej dhe copëtohej do të ishte një tragjedi që do të shkaktonte edhe lufta dhe konflikte. Ne sjemi të përgatitur për luftë.

Çdo gjë që flas qëndroj para asaj që kam folur, edhe para historisë, edhe para gjykatave asaj që kam folur. Veriu i Kosovës është zonë minerare, është e treta në evropë dhe e pesta në botë për pasurinë që mbart.

Është mbi 10 miliardë përfitim me çmimet e sotshme të tregut. Trepça do të kalonte në anën e Serbisë, në atë moment që do të kalonte, Serbia do të fitonte 10 miliardë euro pare.

Ta dijë çdo shqiptarë në glob jo vetëm unë edhe Edi, se si është e vërteta për Kosovën.

Ia kam prish këtyre përllogaritjet, matematikat. Ne kaluam ligjet për ushtrinë, kemi vendos taksën, dhe pas taksës kemi votu ligjin e Trepçës. Këto tre vendime i prishën planet shumë vendeve.

Kemi qenë të rrezikuar për ndarjen e Kosovës që do të ishte shkatërrim i Kosovës. E kisha lut Tiranën zyrtare që të analizojë më mirë agjendat e Beogradit’, tha Haradinaj.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do ta padisë Ramush Haradinajn në gjykatat e Kosovës për shpifje. Pasi ky i fundit deklaroi se kishte ndaluar grabitjen e 10 miliardë eurove që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës. Sipas tij Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpuntorë në realizimin e kësaj skeme.

‘Në gjykatat e Kosovës, zotëria duhet të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndanim unë, Hashim Thaçi dhe Vuçiçi’, ka deklaruar Rama.

Deklarata e Ramush Haradinajt:

‘Ndalova pra, grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkpuntorë në realizimin e kësaj skeme’, ka thënë Haradinaj.

Baby Boo