Padi për incidentin në Flamurtari-Vllaznia, arbitri: Më rrahën në sy të policëve


Bujar Pregja, delegati zyrtar i kësaj ndeshjeje, tregon se çfarë ndodhi, bazuar edhe në raportin që i ka dërguar sot Komisionit të Disiplinës së FSHF-së.

“Sinan Idrizi ishte personi që hyri shumë i nxehur në ambientet e dhomave të zhveshjes, i shoqëruar nga dy apo 3 truproja. Një apo dy nga këto persona e kanë goditur asistentin me grusht, të cilit i kanë shkaktuar edhe çarje në vetull. Në kohën kur është futur brenda edhe arbitri është tentuar ta godasin, por Sinani nuk e ka goditur. Për rrjedhojë ai goditi derën që u mbyll me forcë”, thotë Bujar Pregja.

Sinan Idrizi, administratori i Flamurtarit ka një tjetër version të ngjarjes.

“Unë doja të çtensionoja situatën pas asaj që ndodhi në fushë. Më gjeni një arbitër të dytë që bën të njëjtën gjë që bëri edhe ai, të shash me libër shtëpie atë që në Federatë nuk e durojnë dot. Në kuptimin klasik, kur një bastard që bastardizon futbollin fyen qytetin e Vlorës me libër shtëpie, sepse nuk isha vetëm unë. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki që të zbresin të gjithë tifozët aty. Nuk ka qenë e vështirë t’i përmbaje tifozët, por thjesht nuk tolerojmë më. Ka kufij, është një lepur që shan me libër shtëpie dhe pastaj struket atje. Nuk di as të kërkojë ndjesë, të paktën”, shprehet Sinan Idrizi.

Por, pavarësisht deklaratave verbale, Top Channel ka mundur të sigurojë kallëzimin penal të vet asistentit Ilir Tartari, përpara oficerit të policisë gjyqësore në ato momente.

“Pas takimit, unë sipas procedurës kam shkuar në vendin tim në mes të korridorit. Në këtë moment shfaqet presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili hyn pas meje nga dera kryesore dhe replikon me policët dhe i kërcënon që policia të mos bëjë asnjë veprim mbrojtës ndaj nesh. Në këtë moment duke replikuar me ata, vjen dhe më godet në fytyrë një person, i cili ishte i shoqëruar nga Sinan Idrizi. Menjëherë u krijua një rrëmujë dhe unë për t’u mbrojtur shkova në dhomën e arbitrave. Ndërsa isha duke shkuar atje, pa hapur derën, një tjetër person më godet me grusht, duke më çarë vetullën mbi syrin e djathtë. Pas kësaj u futa në derë dhe kthej kokën, e shoh Sinan Idrizin te dera, i cili tentoi të më qëllojë me shkelm, por nuk ia doli. Pas kësaj më shau e ofendoi. Unë kërkoj që personat që më goditën për shkak të detyrës sime si arbitër ndërkombëtar të ndiqen ligjërisht”, thotë në padi Ilir Tartari.

Baby Boo