Pacienti nga Spitali Psikiatrik në Shtime, vjedh veturën e shëtitet me të në Prishtinë


Një pacient i Qendrës Integruese Rehabilituese e të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime, për herë të tretë ka vjedhur një veturë dhe me të ka dalë për të shëtitur në Prishtinë.

B.A. ka vjedhur të dielën një veturë para një marketi në Shtime. Edhe kësaj radhe, si herët e kaluara, ai me veturën që e vodhi doli për të shëtitur në Prishtinë. Pasi veturat i mbesin pa karburantë, ai kthehet në QIRSKP në Shtime me autobus, thonë nga QIRSKP-ja.

Vetura që ishte vjedhur të dielën ishte e një ish-zyrtari të Komunës së Shtimes, që para disa ditëve kishte dalë në pension. Viktima kishte raportuar rastin e vjedhjes së veturës, të tipit Mercedes, në Policinë e Kosovës.

Miftar Zenelaj, drejtor në Qendrën Integruese, Rehabilituese e të Sëmurëve Kronik dhe Psikiatrik në Shtime, ka thënë për KOHËN, se institucioni i tyre është njësi përbërëse e nivelit sekondar dhe është i tipit të hapur, prandaj pacientët hyjnë dhe dalin kohë pas kohe.

“Pacienti (B.A) është i njohur se i merr veturat sa herë që i gjen të hapura në qytetin e Shtimes dhe niset për Prishtinë, sepse atje i pëlqen të shëtitet dhe të qëndrojë në rrugë. Nuk është hera e parë që ai i merr veturat, prandaj të dielën në mbrëmje ka marrë një veturë të tipit Mercedes dhe ndërkohë është kthyer me autobus në Qendër. Pasi është kthyer ka treguar se i ka mbetur vetura pa karburant te vendi i quajtur ‘Sllovenia e Sporteve’ në Prishtinë, pastaj ne e kemi lajmëruar Policinë e Kosovës dhe po merren me rastin. Fatmirësisht pacienti nuk ka shkaktuar ndonjë aksident”, ka thënë Zenelaj.

Ai shpjegon se ky pacient ka probleme të “skizofrenisë paranoide” dhe është përdorues i substancave narkotike.

Ndërkaq, Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për KOHËN se të dielën rreth orës 16:30 Policia e Stacionit në Shtime ka pranuar një informatë se nga ankuesi E.D. për vjedhje të veturës Mercedes me targa vendore, të cilën e kishte të parkuar në rrugën “Tahir Sinani’’ përballë “Entit Special” në Shtime.

“Policia i ka marr veprimet e nevojshme dhe ka nisur hetimet. Nga hetimet e para të policisë dyshohet se një person B.A pacient i Qendrës Integruese dhe Rehabilituese e të Sëmurëve Kronik dhe Psikiatrik e ka vjedhur veturën dhe është larguar në drejtim të panjohur. Rasti po hetohet”, ka thënë Veseli.

Baby Boo