“Pa vaksinim vendi hyn në një valë tjetër infektimesh”

I nevojshme po shihet vaksinimi i fëmijëve nga mosha 7-18 vjeç, në mënyrë që të ketë vaksinim bazik të kompletuar prej dy dozave. E sipas infekotologëve vetëm kështu mund të arrihet imuniteti kolektiv, e që do të ndalonte edhe rritjen e rasteve me Covid-19, që ditëve të fundit janë shtuar shumë.
Infektologu, Ilir Tolaj thotë se pasi të arrihet imuniteti kolektiv edhe me vaksinimin e fëmijëve, mund të aplikohet edhe doza e tretë.

Baby Boo

Por që sipas tij, aktualisht autoritetet shëndetësore dozën e tretë janë duke e rekomanduar vetëm për personat që kanë defekt në imunitet.
“Për Kosovën është e rëndësishme që pjesa më e madhe të jetë e përfshirë me dy dozat e vaksinës, kur e them këtë që të përfshihen edhe fëmijët nga mosha 7 deri në 18 vjeç, në mënyrë që ta kompletojmë së pari këtë vaksinimin bazik prej dy dozave dhe së bashku me ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen, të krijojnë një imunitet kolektiv i cili do ta ndalojë hovin e pandemisë dhe të na parandalojë ndaj një vale të re e cila mund të shfaqet, duke përfshirë këtu edhe fëmijët”, tha Tolaj.

“Pasi që të jetë arritur ky qëllim atëherë është e mundur dhe që të fillohet edhe me dozën e tretë dhe tash për tash autoritetet shëndetësore dozën e tretë e rekomandojnë vetëm për rastet që janë të dokumentuara se kanë një defekt në imunitet”, shtoi ai.

Se sa është e sigurt vaksina anti-COVID, Tolaj thotë se asgjë nuk është absolute, por vet fakti se në Kosovë ende nuk ka vdekur asnjë i vaksinuar nga Covid-19, ai thotë se kjo tregon edhe efektin e vaksinës.
Tolaj, vaksinimin po e sheh të vetmen rrugë për të parandaluar zhvillimin e infeksionit dhe për tu mbrojtur nga vdekja.

“Asgjë nuk ka absolute, as sa i përket mbrojtjes së vaksinës, por vaksina anti-Covid që të gjitha pa asnjë përjashtim janë një aset një mjet i suksesshëm kundër pandemisë, ofrojnë mbrojtje të lartë për secilin individë që është vaksinuar me to. Vet fakti që tash në këto momente nuk kemi asnjë person të vaksinuar i cili ka vdekur nga Covid-19” u shpreh Tolaj.
“…raste sporadike që po infektohen, nuk janë fakte që për të folur kundër vaksinimit t, vaksinimi është e vetmja mënyrë për ta parandaluar zhvillimin e mëtejshëm të pandemisë dhe për të mbrojtur vetveten nga vdekja”.

E nëse institucionet përkatëse nuk tregohen të suksesshme gjatë procesit të vaksinimit, atëherë vala e tanishme e Covid-19 mund të vazhdojë, por që Tolaj nuk e përjashton edhe mundësinë e një vale tjetër në vjeshtë, apo të një varianti të ri nëse është e madhe përqindja e popullatës që ende nuk e kanë kaluar infeksionin apo që nuk janë vaksinuar.

“Nëse nuk jemi të suksesshëm në vaksinim, atëherë mund të kemi një vazhdim të kësaj vale pak më gjatë se zakonisht ndërsa mos përfshirja me vaksinim është e qëndrueshme në aspektin kohor atëherë mund të kemi valë tjetër, dhe nëse ka përqindje të popullatës që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe nuk janë vaksinuar gjithnjë do të ekzistojë rreziku që një variant i ri do të përfshij atë pjesë të popullatës”, përfundoi Tolaj.