Oxford: AstraZeneca, vaksinë e sigurt dhe shumë efektive

Pas provave të kryera nga ekspertët amerikanë në lidhje me vaksinën e prodhuar nga Oxford-AstraZeneca, ka rezultuar se kjo vaksinë është e sigurt dhe shumë efektive.

Baby Boo

Në këtë studim, morën pjesë 32 mijë vullnetarë, të shpërndarë në tre shtete, Amerikë, Kili dhe Peru. Nga rezultatet e marra, është arritur në përfundimin se vaksina është 79% efektive për ndalimin e sëmundjes simtpomatike COVID, si dhe 100 % efektive në parandalimin e agravimit të sëmundjes tek njerëzit. Sipas ekspertëve, në asnjë moment nuk ka rezultuar të ketë mpiksje të gjakut.

Këto rezultate, sipas ekspertëve amerikanë duhet të shërbejë si një njoftim për vendet që kanë pezulluar përkohësisht injektimin e kësaj vaksine në popullatë. Këtë gjë e ka vërtetuar edhe Agjencia Evropiane e Barnave, e cila, në një deklaratë të disa ditëve më parë, njoftoi se vaksina e prodhuar nga AstraZeneca nuk shkakton mpiksje të gjakut.

Vlen për t’u përmendur se nga 17 milionë njerëz që kanë marrë vaksinën në Britaninë e Madhe dhe vende të tjera evropiane, vetëm 37 personave i është shkaktuar mpiksje të gjakut, një shifër mospërfillëse kjo sipas ekspertëve, pasi një probabilitet i tillë ndodh edhe në një situatë normale.

Kujtojmë se shtete si Italia, Holanda, Gjermania, Spanja, Bullgaria e të tjera, e kishin ndaluar përkohësisht përdorimin e kësaj vaksine, por tanimë, me vendimet e Agjencisë Evropiane të Barnave dhe studimit të fundit të ekspertëve amerikanë, pritet që ata të rinisin injektimin në popullatë.

Italia, Gjermania dhe Franca e kanë ndërmarrë një hap të tillë, ndërsa shpejt pritet që edhe shtete të tjera të veprojnë po në të njëjtën mënyrë.