Osmani: Mosrespektimi i masave nuk ka qenë arsye për pikun e virusit, është pasojë e lajmeve të rreme


Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane dhe shef i Shtabit të krizës për përballje me virusin Kovid-19, Bujar Osmani duke folur për gjendjen aktuale me virusin në vend dhe numrin e madh të të infektuarve në Çair, ka thënë se kjo komunë ka rrethana specifike dhe është komunë më e dendur në Evropë. Këtë deklaratë, Osmani e dha në Tv Alfa në emisionin “Çka nuk është e qartë” ku shtoi se nuk ka komunë me popullatë më të madhe në metër katror në Evropë.

“Në një kilometër katrorë në Çair, jetojnë rreth 20 mijë qytetarë, ose në tre e gjysmë kilometra katrorë sa është Çairi, jetojnë rreth 67 mijë qytetarë. Ashtu që shumë lehtë do të përhapet infeksioni në një mjedis të dendur, se sa në Saraj ku u vendos menjëherë në kontroll ku në një territor më të madh jetojnë më pak njerëz. Ekzistojnë karakteristika gjeografike dhe tjera”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka shtuar se mosrespektimi i masave nuk ka qenë arsye për pikun, por siç tha, “është pasojë e lajmeve të rreme që keqpërdorën lodhjen e qytetarëve”.

“Unë Qeverinë në një punë e akuzoj, ajo është në përballjen joradikale me lajmet e rreme. Shembull më i mirë për lajmet e rreme është se mbi 25 për qind e qytetarëve nuk besojnë se virusi ekziston. Ka pasur lajme të rreme të llojit se ky është konspiracion i Bill Gejtsit që të vaksinojë njerëz dhe t’u vendos çipe. Mund t’ju siguroj listë të burimeve, bile në momente kam menduar se kjo është luftë speciale. Ka pasur edhe informacione se dy vende në botë janë burim i lajmeve të rreme për pandeminë dhe se njëri prej tyre jemi ne. Paramendoni situatë se një lajm i tillë i rremë ka fuqinë të arrijë deri në Amerikë, nga Velesi (siç ka qenë rasti me Trampin), paramendoni se çka mund të bëjë rrugës”, ka thënë Osmani.

Baby Boo