Osmani i përgjigjet PDK’së që e bojkotoi


Kryeparlamentarja Vjosa Osmani iu është kundërpërgjigjur PDK-së, pasi që këta të fundit e kanë bojkotuar mbledhjen e kryesisë, si shenjë pakënaqësie për zhvendosjen e fotografisë së presidentit, Hashim Thaçi, raporton Gazeta Express.

Osmani tha pas mbledhjes se nuk është njoftuar formalisht nga partia që udhëhiqet nga Kadri Veseli. Ajo ju ka bërë thirrje PDK-së që të shkojnë në mbledhje të kryesisë për të dhënë kontributin e tyre.

“Kryesia e Kuvendit nuk është njoftuar formalisht nga ana e PDK-së, e konsideroj si të pa nevojshme sepse fotografia e presidentit aktual, në asnjë moment nuk është larguar nga ana e kabinetit, por vetëm është zhvendosur, përderisa është brenda zyrës, vendi është i dukshëm, vetëm ana ka ndryshuar. Thirrja ime është që të vijnë të kontribuojnë që këto çështje t’i qojmë bashkërisht përpara”, tha Osmani.

Ajo ka dhënë sqarime edhe për çështjen e reciprocitetit me shtetin serb.

“Kryeministri i vendit me të drejtë e tha se tarifa e jo taksa të zëvendësohet me reciprocitet në raport me Serbinë, natyrisht që ne si Kuvend se marrim atë vendim, por, qeveria, por komenti im është se çka mendon koalicioni, absolutisht ka pajtim të tillë është pjesë e programit, është lexuar nga ana e kryeministrit”, tha kryeparlamentarja.

Osmani ka bërë të ditur se gjatë kohës sa do të jetë kryetare e Kuvendit, ajo nuk do të punojë si asistente në UP.

“Unë do ta dërgoj kërkesën për t’u pezulluar gjatë kësaj udhe, është praktikë që është ndërtuar së paku në fakultetin juridik, ku personat që mbajnë pozita të zyrtarëve të lartë publik e dërgojnë një kërkesë për pezullim gjatë asaj periudhe, unë gjatë katër viteve do të fokusohem në tërësi për punën time në Kuvend, sado që studentët do të më mungojnë shumë”, tha kryetarja e Kuvendit.

Baby Boo