OSBE-ja me kritika për mosefikasitetin e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut


Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut sërish është vënë në shënjestër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtare, për mungesë të profesionalizmit dhe të efikasitetit mbi proceset gjyqësore. Kjo konstatohet në raportin më të ri të misionit të OSBE-së në Shkup mbi fatin e lëndëve gjyqësore të ish-Prokurorisë Speciale.

Raporti nuk përfshinë periudhën e pandemisë kur për gati dy muaj gjykatat nuk kanë punuar për shkak të ruajtjes së shëndetit nga koronavirusi, por kryesisht i referohet gjendjes së para-sëmundjes së COVID-19.

Në pyetje janë dhjetëra lëndë gjyqësore që ende nuk kanë epilog për shkak të zvarritjes së procedurave kundër shumë ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, që është edhe në mesin të akuzuarve për shumë vepra, ndërsa vetëm për një prej tyre është dënuar me dy vjet e gjysmë burg, të cilat nuk i ka mbajtur për shkak të arratisjes në Hungari.

“Në shumicën e gjykimeve, provat materiale paraqiten para se të dëgjohen dëshmitarët e thirrur. Për më tepër, duket se prokurorët nuk posedojnë aftësitë e nevojshme ose nuk janë të gatshëm t’i zgjedhin ato dhe të paraqesin prova relevante përpara gjykatës për të mbështetur pretendimet mbi aktakuzën e ngritur”, thuhet në raport.

Ai përmban kritika edhe për punën e gjykatësve të cilët sipas raportit, “duket se janë shumë tolerantë dhe pranojnë kërkesat e ndryshme të palëve në lidhje me paraqitjen e provave”.

“Gjatë gjykimeve, ata jo gjithmonë ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë kontrolle mbi atë që është e pranueshme, por lejojnë që të gjitha provat e propozuara nga palët të kryhen pa vlerësuar së pari rëndësinë e tij”, vlerëson raporti i OSBE-së.

Pas shuarjes së Prokurorisë Speciale për shkak të përfshirjes së drejtueses së saj Katica Janeva në aferën e njohur “Reketi”, të gjithë lëndët që procedonte kjo prokurori janë shpërndarë në organin e rregullt të akuzës, por ende pa epilog konkret.

Edhe ekspertët juridik dhe organizatat joqeveritare shpesh herë kanë shprehur pakënaqësinë ndaj zvarritjes së procedurave gjyqësore duke prezantuar të dhëna se mbi 60% e gjykimeve për lëndët që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ose janë shtyrë ose kanë përfunduar pa epilog.

Baby Boo