Organizohen protesta kundër ndotjes së ajrit në Shkup


Iniciativa “Shoqëria kancerogjene” nëpërmjet rrjetit social Facebook ka bërë thirrje për protestë paqësore kundër ndotjes së ajrit, që do të mbahet të shtunën më 26 janar me fillim prej orës 13:00, para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

“Shoqëri e vdekur, jo! Në të gjithë globin tokësor, mushkëritë tona e thithin ajrin më të ndotur. Vallë mendoni se e meritojmë dhe vallë mendoni se jemi imunë? Një nga shkaktarët më të mëdhenj për vdekje të hershme është thithja e ajrit me cilësi të dobët. Në Maqedoni pothuajse nuk ka debate publike në lidhje me cilësinë e ajrit. Rezultatet e politikanëve dhe institucioneve kompetente janë të dukshme për secilin prej nesh. Le të tregojmë se nuk jemi revolucionarë të Fejsbukut dhe ta fitojmë luftën për të drejtën themelore të njeriut, të drejtën për mjedis jetësor të shëndetshëm dhe të pastër. Le të tregojmë, të gjithë së bashku, se askush nuk duhet të luajë me shëndetin tonë dhe të dëshmojmë se dimë si të luftojmë dhe të fitojmë të ardhme më të pastër”, thuhet në ftesën për protestë.

Nga “Shoqëria e karbonit” kërkojnë takim urgjent të qeverisë, për shkak të, siç thonë ata, gjendjes alarmante me cilësinë e ajrit në vend. Kërkojnë urgjentisht të përfshihen ekspertë, mjekë, ambientalistë, eko-aktivistë dhe të gjithë të cilët realisht do të ndihmonin në përmirësimin e gjendjes, ndërsa qeveria t’i përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për t’u përballur me problemin.

Baby Boo