Organizatat mediatike e dënojnë gjuhën e Llatasit: Edhe sponsorët e programit të kërkojnë falje


Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë (SPGM dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) e dënojnë gjuhën me të cilën nxitet dhuna dhe stimulohet diskriminimi gjinor në intervistën e jutuberit Stefan Llazarov me ish kryeredaktorin e televizionit “Sitel” Dragan Pavlloviq-Llatas i cili gjatë intervistës ka treguar se kur ka qenë 15-vjeçar ai dhe disa shokë kanë abuzuar me një vajzë e cila ka qenë e rrahur, në ndërkohë që të dy kanë qeshur me rastin e dhunës.

“Liria e shprehjes nënkupton përgjegjësi dhe vetëdije të lartë për parimet e demokracisë dhe liritë, të drejtat dhe obligimet në një shoqëri të hapur. Kur liria e shprehjes transformohet ose provokon veprime kriminale ose çfarëdo lloj të shkeljes së të drejtave civile dhe të njeriut, atëherë ajo nuk është liri, por agresion dhe duhet që të trajtohet”, thonë organizatat mediatike.

Organizatat theksojnë se ata nuk do ta pranojnë asnjëherë mënyrën e këtillë të komunikimit në hapësirën publike.

“Pavarësisht se personat në fjalë as kanë qenë e as janë anëtarë tanë, ndjejmë nevojë që të paralajmërojmë se kjo mund të lërë pasoja të rënda në opinion, veçanëisht në publikun e të rinjve. Gjuha e urrejtjes, por edhe gjuha që nxit dhunë dhe krijon paragjykime nuk është dhe nuk guxon të jetë normal në komunikimin publik”, thonë organizatat mediatike.
Ata shtojnë se institucionet duhet që të marrin masa urgjente me qëllim që të tregohet se nuk tolerohet mosndëshkueshmëria gjatë keqpërdorimit të ashpër të gjuhës publike në hapësirën e internetit.
“Prej këtu e përshëndesim reagimin e shpejtë dhe transparent të MBP-së dhe Prokurorisë dhe presim që në afat sa më të shpejtë të ketë procedurë gjyqësore me të cilën do të tregohet se lloji i këtillë i keqpërdorimeve sanksionohet”, thonë organizatat mediatike.

Baby Boo