Opozita: Kurti po e blen paqen duke shpërndarë lëmoshë për qytetarët


Pakoja e Qeverisë, që sipas saj ka për qëllim përballimin e inflacionit, është kritikuar nga partitë opozitare dhe ekonomistët. Ata po e cilësojnë si lëmoshë dhe ndihmë që nuk i zgjidh problemet e papunësisë dhe të zhvillimit ekonomik. Sipas tyre, qytetarët kanë nevojë për siguri ekonomike dhe se këto ndihma nuk mjaftojnë për t’u përballur me koston e jetesës pas rritjes së çmimeve
Shuma prej 150 milionë eurove e ndarë nga Qeveria e Kosovës për të përballuar inflacionin që ka arritur në nivelin e 19.2 për qind, po konsiderohet e pamjaftueshme nga partitë opozitare. Pakon e prezantuar dy ditë më parë nga Qeveria ato e kanë cilësuar lëmoshë dhe përpjekje për të blerë paqen sociale.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se asnjë nga masat e parapara në këtë pako nuk tregon se do të ketë efekt në stabilizimin e gjendjes apo frenim të krizës.

“Një grup njerëzish po konsiderojnë që janë pronarë të parasë publike dhe e ndajnë kur të duan. Një lloj sadakaje që thonë këta hoxhallarët për t’i ndihmuar të varfrit, që këta po i ndihmojnë që të bëhen sa më shumë të varfër, sepse ashtu po iu duhet që ata pas marrjes së ndihmës t’iu falënderojnë këtyre që ua shpëtuan jetën në momentin e fundit”, ka thënë Shatri.

Shatri ka thënë se nuk zgjidhen problemet e papunësisë dhe të zhvillimit ekonomik me ndihma sociale. Ai ka ngritur si shqetësim edhe mosrealizimin e projekteve kapitale, të cilat, sipas tij, do të ndikonin në rritje ekonomike.

“Është bllokuar komplet Fondi i investimeve kapitale. Nuk zgjidhet problemi i papunësisë dhe i zhvillimit ekonomik dhe problemet sociale me ndihma sociale. Zhvillimi ekonomik i zgjidh problemet sociale dhe të zhvillimit ekonomik dhe këtu po mungojnë masat ekonomike”, ka thënë Shatri.

Pakoja e Qeverisë parasheh subvencionim për ata që kursejnë energji elektrike, dyfishim të asistencës sociale për muajin shtator, 100 euro për pensionistë, për studentë dhe për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe nga 50 euro për punëtorët e sektorit publik nga muaji shtator.

Për sektorin privat parashihet vetëm subvencionimi prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për 3 muajt e parë.

Sipas Arben Mustafës, koordinator i Departamentit për Financa në kuadër të kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, kryeministri Albin Kurti po përpiqet t’i shuajë pakënaqësitë e qytetarëve duke shpërndarë lëmoshë. Mustafa ka thënë se pakoja që Kurti e prezantoi të shtunën ka synim blerjen e paqes sociale, pas krizës së krijuar nga Qeveria ndaj punonjësve të sektorit publik.

“Pas disa muajve shumë të rëndë të ballafaqimit me rritjen e çmimeve dhe me krizë energjetike, Qeveria e Kosovës u detyrua nga pakënaqësitë qytetare për t’u marrë me rrethanat e krijuara, duke prezantuar një pako të masave ekonomike, përmes zotimit të shumës prej 150 milionë eurove për subvencionim të disa kategorive shoqërore, të cilat ndonëse janë të mirëseardhura si hap, janë të pamjaftueshme dhe nuk zgjidhin asnjë problem real si përmbajtje. Është krejt e natyrshme që diçka e tillë nuk mund të pritet nga një qeveri e cila operon me logjikë të impulseve e jo me plan të zhvillimit”, theksoi ai.

Sipas tij, qytetarët kanë nevojë për siguri ekonomike dhe ndihmat e tilla nuk mjaftojnë për t’u përballur me shtrenjtimin e kostos së jetesës.

“Me politika të tilla, Qeveria po dëshmon se bllokimin e investimeve kapitale e ka bërë për t’i grumbulluar depozitat në mënyrë që sa herë që të ketë krizë besimi te qytetarët apo kur partia në pushtet nuk i ka punët mirë në terren, ta hapë kuletën e shtetit dhe të shpërndajë lëmoshë për ta zbutur mllefin e qytetarëve”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Ministria e Financave nuk po i shfrytëzon instrumentet e akcizës dhe të TVSH-së për t’i zbutur çmimet. Ndërsa skemën e punësimit, të lansuar nga Qeveria, koordinatori i PDK-së e quajti të paefektshme

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, shkalla e inflacionit në Kosovë ka arritur në 19.2 për qind. Situata me rritjen e çmimeve sipas këtij institucioni do të vazhdojë deri në fund të 2024-s, duke përkeqësuar pasigurinë ushqimore.

Baby Boo