‘OKTA’ do e padisë Maqedoninë 35 milion euro


“Helenik Petroleum” po përgatit një padi të re kundër shtetit. Kompania e naftës do të kërkojë dëmshpërblim prej 35 milionë eurosh nga vendi për shkak të shkeljes së kontratës për furnizim me naftë, mëson Alsat M nga burimet e veta. Për 5 vjet, ose nga viti 2007 deri në vitin 2012, vendi nuk ka blerë, edhe pse kishte një detyrim nga Okta të blejë 500 mijë ton naftë në vit. Dispozitat penale të marrëveshjes thonë se mosrespektimi i rregullave do të kushtojë 19 dollarë për çdo ton të pagjetur të mazutit. Kemi kërkuar qëndrim nga OKTA. Ja përgjigjja e tyre:

“OKTA SHA – Shkup nuk ka asnjë proces gjyqësor me Qeverinë. Kjo çështje lidhet me Marrëveshjen e shitblerjes, të nënshkruar nga Qeveria dhe investuesi strategjik EL. PET BALKANIKI S.A. Në këtë drejtim, të gjitha çështjet në lidhje me këtë temë duhet t’u adresohen palëve kontraktuese”, thanë nga OKTA.

Konfirmimin jozyrtar që “Helenik Petroleum” ka ndërmend ta padisë shtetin e morëm nga zyrtarë qeveritarë, të cilët besojnë se është shumë herët padia të arrijë në Ilindenska numër 2. Që nga fillimi, ekspertët në këtë fushë, paralajmëruan se marrëveshja e tillë, e cila ishte nënshkruar ndryshe në kohën e qeverisë së Ljubço Georgievskit, do të ishte në dëm të madh për arkën e shtetit, sepse për nevojat e vendit ishin të mjaftueshme rreth 70 mijë ton mazut në vit dhe jo 500 mijë ton. Alsat sot e kërkoi edhe vetë Ljubço Georgievskin, por zëdhënësi i tij na tha se ai është jashtë vendit dhe se nesër do të kemi një qëndrim. Përndryshe kjo nuk do të jetë padia e parë me të cilën një kompani me kapital grek do ta padisë Maqedoninë. Helenik Petroleum, kompania pronare e OKTA-s, në vitin 2004, ngriti një padi kundër Maqedonisë në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris. Vendi u desh të paguajë 53 milionë dollarë për të njëjtën punë, blerje të pamjaftueshme të sasive të dakorduara të mazutit.

Baby Boo