Nxorri mbi 500 kufoma nga uji


Ismail Kasumi mbetët zhytësi më produktiv në trojet e Ballkanit e më gjerë. I admiruar në tërë rajonin ballkanas për punën e palodhshme, Ismail Kasumi është i pazëvendësueshëm si zhytës në ujë.

Dallon nga zhytësit e tjerë, sepse Ismail Kasumi, në vend se të hulumtojë begatitë nënujore që ka natyra e bukur, ai ka fatin të kërkojë dhe nxjerrë kufoma. Fati ka dashtë që ai të nxjerrë kufoma të masakruara nga bunarët e thellë në Drenicë dhe ka bërë punë aty ku nuk kanë mundur të zhytet askush.

Këto ditë Ismail Kasumi u mor ngoje si i kritikuar nga kreu qeveritar, me aludim se po fol dikush nga “kafiçët” e Prishtinës, kurse nuk po shkon në kërkim të dy trupave të policëve që pësuan fatkeqësi në lumin “Lepenc” të Kaçanikut.

Ismail Kasumi shkoi dhe, pas këshillave të tij, shumë shpejt u gjet trupi i pajetë i njërit polic, kurse sot mbetët të kërkohet edhe trupi i policit tjetër.

Në vitin 2012 revista jonë, “Kosovarja” bëri një bisedë të gjatë me Ismail Kosumin, kryesisht për punën e tij si zhytës, ku, ndër të tjerash, tha:

“Kurrë asnjë qeverie nuk ia kam pa hajrin as për një palë rroba të zhytjes, e që kushtojnë rreth tre mijë euro, edhe pse kam nxjerr nga uji mbi 454 kufoma”.

Kështu tha atëherë, ndërkohë që numri i kufomave të nxjerra tashmë është më i madh.

Me rastin e pjesëmarrjes së tij në hulumtimin e trupave të policëve të zhdukur në lumin “Lepenc”, “Kosovarja” sjell   bisedën me Ismail Kasumin, të zhvilluar në vitin 2012, duke pasur parasysh se momenteve të dhembshme nuk u del kurrë aktualiteti…

Ismail Kasumi, 63 vjeç, është mësuar që në derën e tij sa herë trokasin njerëz të panjohur, t’i kenë lotët në fytyrë. Puna e zhytësit në dallgët e ujërave dhe në bunarët e thellë, ku nuk depërton as rrezja e diellit, kanë bërë që ai të jetë i veçantë, i pakrahasueshëm. I kanë mbetur në kokë të gjitha anët tragjike të familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre në paqe dhe në luftë, por që jetën ua ka rrëmbyer uji.

Ismail Kasumi, aktualisht drejtor i Shtëpisë së Sporteve në Prishtinë, është profesor në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe në karrierën e tij prej sportisti ka kryer shumë funksione para lufte. Edhe pas lufte vazhdon të jetë jo vetëm një profesionit i sporteve, por ai është më i merituari që sot Kosova ka një ekip profesionist zhytësish, e që më të nevojshëm janë në rastet tragjike. Shumëkush në Kosovë e quan “Nëna Terezë”, por ai për të gjitha këto e ka një motiv: Të jetë në shërbim të popullit dhe i dashur për popullin, sepse, sikur thotë edhe vetë, asnjë qeverie nuk ia ka pa hajrin, madje as për një palë veshje të zhytësit!

Ajo që e bën Ismail Kasumin një “Nënë Terezë” është se i ka nxjerrë 454 kufoma nga uji dhe kurrë nuk ka marrë prej askujt asnjë cent. Ai thotë se me këtë e ka përmbushur dhe po e përmbush amanetin e nënës që mos u merr para askujt për këtë lloj shërbimi.

Ismail Kasumi shpesh e ka vënë edhe jetën në rrezik për të shpëtuar të tjerët, apo për të nxjerrë kufomën nga uji. Duke qenë në psikologjinë e familjarëve në kohë tragjedie, thotë se ata që e humbin djalin apo vëllanë a dikë tjetër në familje, zakonisht, zemra u qetësohet kur e gjejnë trupin e tij nga uji dhe kur e kanë para vete qoftë edhe si kufomë.

Për ta përmbledhur më mirë figurën e Ismail Kasumit, shërbehemi me thënien e një familjari: “Më 29 qershor të vitit 1997, kur vdiq djali ynë, Bekimi, në liqenin e Gazivodës, m’u duk sikur edhe dielli u shua për ne. U errësua çdo gjë. Kjo tragjedi familjare na i lëkundi zemrat, sepse pos lajmit sa na u fik bima e shpirtit, e zemrës, na thanë se trupi i tij ka mbetur thellë në ujë dhe vështirë do nxirrej. Dhe, kur shpresa se do e nxjerrim kufomën e djalit nga thellësia e liqenit zbehej, kur në zemrat tona pikonin lot zie, u shfaq Ismail Kasumi dhe e nxori kufomën nga liqeni”.

Ismail Kasumi, që me duart e tij ka nxjerrë 454 kufoma nga uji, është me prejardhje nga një familje e Slishanit të Prokuples. Ishin shpërngulur në Bërjakë, pastaj në Banjë të Malishevës, në Matiçan të Prishtinës, e më vonë në Grabanicë të Pejës dhe, së fundi, në Prishtinë. Është një humanist i madh që i ka shërbyer tërë jetën popullit dhe këtë e ka krenari dhe mburrje. Ismaili ka shërbyer besnikërisht në shumë detyra kombëtare dhe ka bartur edhe armë për UÇK-në. Në vitin 1994 ishte arrestuar nga policia serbe me akuzë se fshehte eksploziv në liqenin e Batllavës, të Radoniqit dhe të Gazivodës.

Si e keni filluar këtë profesion?

Ismail Kasumi: – Ka qenë rastësi. Isha kah mbytem në ujë si fëmijë në Grabanicë të Pejës. Kisha hyrë në ujë dhe më shpëtuan, por në breg isha pa frymë. Kur të gjithë kishin menduar se unë kisha marrë fund, kisha filluar t’i lëvizja duart dhe ua kisha sjell familjes gëzimin më të madh. Kështu, nga rasti që qesh duke u mbytur, nisa të mendoja për të shpëtuar ata që përfshihen në dallgët e ujit. Pastaj, më mbeti trauma në kokë dhe nuk guxoja të pija as ujë, sepse edhe prej saj kisha frikë se më mbyste.

A ka Kosova ekip profesional të zhytësve?

Ismail Kasumi: – Falë qeverisë, sot është ekipi me 22 zhytës që mund të veprojnë kudo që ka nevojë. E ka edhe FSK-ja një ekip të trajnuar për këtë qëllim, por esenca është të veprohet në kushte emergjence dhe për raste tragjike, sepse jeta na ballafaqon edhe me sfida të papritura. Kur e formuam trupën e zhytësve ka qenë një koincidencë dhe po e tregoj tash. “Isha në Pishinën e Gërmisë, në të cilën ndodheshin 3-4 mijë vizitorë. Para nesh parakaloi TMK-ja. Unë i propozova masës duartrokitje për ushtrinë tonë dhe  ata ma quan në vend fjalën. Më pas shkova te Komandanti i TMK-së, gjeneral lejtnant Agim Çeku dhe me të hyrë në zyrë i thashë se më duhen nja 60 ushtarë. Ai më tha: “Lufta ka përfunduar”. I thashë se si bregdetar që vjen nga Kroacia, me siguri, e di mirë se çka është ekipi i zhytësve. Agimi më tha se ky ishte lajmi më i gëzueshëm i asaj dite dhe m’i dha aq ushtarë sa kërkova dhe e filluam punën e ushtrimeve. Sot, falë asaj pune, në FSK është ekipi i stërvitur mirë për zhytje, por që ka nevojë të stërvitet akoma dhe të bëhet më i përgatitur për raste emergjente dhe për raste të tragjedive të ndryshme.

Sa kufoma keni nxjerrë nga uji?

Ismail Kasumi: – Që nga viti 1970, kur e kam filluar veprimtarinë time në këtë lëmi, kam nxjerr 454 kufoma nga uji. Rastet kanë qenë nga më të ndryshmet. Kjo është aq e ndjeshme sa shumë njerëz më pyesin: “Ismail, a bën gjumë?”. Pyetje me vend, sepse me duar të mia kam nxjerr shumë kufoma dhe nga të gjitha këto tragjedi vetëm në një rast nuk kam pasur sukses. Fjala është për një djalë në Pollatë të Podujevës dhe kam përshtypjen se është gjallë dhe nuk është përfshirë në lumin e asaj dite.

Ndonjë rast që u ka prekur më shumë?

Ismail Kasumi: – Në vitin 2009 erdhi te unë një prind i një familjeje nga Kanadaja, nga fshati Llugaj i Llapit. Djali i tyre kishte shkuar në liqenin e Batllavës për t’u larë dhe nuk ishte parë të dilte nga uji. Unë me ekipin tim shkova ta kërkoja dhe në fund e gjeta trupin e tij dhe e nxora. Të posanxjerrit, zakonisht, i mbuloj me batanije dhe kështu veprova edhe në atë rast. Pasi e mbulova kufomën, u afrua prindi i tij dhe më tha: “Profesor, a mund ta shoh djalin?”. I thashë po dhe e ia hoqa batanijen. Ai vuri dorën në zemër dhe tha: “Eh Jetmir, sa qenke rritur, të pastë babai!”. Në atë çast më ka shpërthyer vaji dhe i jam drejtuar vetes me këto fjalë: “As unë më nuk qenkam Ismaili i dikurshëm: i forti në shpirt dhe i fuqishmi në trup që nxjerr kufoma e nuk qan!”.

Megjithatë, jam krenar për punën që kam bërë. Ndjej se sikur të mos kisha qenë unë, Ismaili, kush do t’i kishte nxjerrë ata djem, ata të mbytur? Me siguri, do të ishte gjetur një zgjidhje për çdo kënd, por në çdo rast do të kishte qenë shumë më e kushtueshme për familjen, edhe shpirtërisht e edhe materialisht, sepse kur një familjeje i mbytet djali apo dikush tjetër, dëshira e tyre, edhe në ato çaste pikëllimi, është që sa më parë ta nxjerrin kufomën nga uji dhe të hiqet dilema e ankthi. T’i dihet varri, sepse rastet e mbytjes në ujë ndodh edhe të mos gjenden kurrë dhe të mos i dihet as varri viktimës. Andaj, krenohem që kam qenë dhe jam në shërbim të popullit tim.

A u ka ndihmuar ndonjë qeveri që t’i siguroni pajisjet kur dihet se kushtojnë shtrenjtë?

Ismail Kasumi: – Jo, nuk më ka ndihmuar askush. I kam dhjetë komplete të zhytjes, por të gjitha i kam blerë me paratë e mia. Janë të domosdoshme, sepse për ta bërë një  zhytje profesionale, pra për të nxjerrë një viktimë nga uji, nuk mund të bësh punë pa to. Në zhytje nuk ka pardon! Duhet ta kesh atë që kërkon uji. Në raste të tilla, edhe kur  ekziston fatkeqësia, baballarëve e nënave ua lehtëson dhimbjet kur ua sjell kufomën, sepse ndihen më të lehtësuar. E, po t’mos gjendet fare trupi i pajetë, dhimbja është edhe më e rëndë dhe enigmatike. Mirë do të ketë qenë sikur shteti të blinte pajisje për atë qëllim. Unë, personalisht, pas çlirimit të Kosovës, jam shumë i zhgënjyer. Askush nuk ka ofruar ndihmë për ne, zhytësit, dhe vetë i kam blerë pajisjet e vet makinën, vetë benzinën e krejt çka duhet, sepse nuk mund t’i thuash dikujt se nuk vij ta nxjerr kufomën nga uji, sepse një gjë e tillë është e rëndë.

 

A paguhet nxjerrja e kufomave në shtetet e tjera dhe si është i rregulluar ky proces?

Ismail Kasumi: – Zhytja në të gjitha shtetet paguhet. Por, nesër a pasnesër, kjo duhet të rregullohet edhe te ne. Unë i kam disa trashëgimtarë të zhytjes, e që janë e ardhmja e Kosovës, si Besart Ismail Kasumi, pjesëtar i FSK-së, dhe kolegët e tij: Valdrin Kelmendi, Emin Abdullahu, Hamëz Potera e të tjerë. Këta janë brumi i zhytjes së ardhme, por këtyre djemve duhet t’u krijohen rrethana më të favorshme pune sesa që kemi ne sot.

Keni edhe një punë kapitale në zhytje në bunarë. Çka mbani mend si më trishtuese nga rastet që ke pasur?

Ismail Kasumi: – Rastet më të prekshme i kam pasur në  nxjerrjen e kufomave që i kishin hedhur paramilitarët serbë në bunarët e fshatit Kuçicë të Skenderajt. Me t’u kthyer nga Maqedonia, ku isha refugjat, në derën time trokiti një 17 – vjeçar. Më tha:

“Ku mund ta gjej Ismail Kasumin?”.

“Çka të duhet?”, e pyeta.

“Jam nga Mitrovica. Jam Ajeti. Në Kuçicë të Skenderajt m’i kanë hedhur në bunar babanë dhe vëllanë, e nuk po mund t’i nxjerrim se është shumë thellë”.

E përqafova dhe i thashë se unë jam Ismaili dhe bëhu i fortë se unë vij në Kuçicë. Ky ishte njëri nga rastet që më preku në shpirt, meqë lotët e atij djali lanë vragë në shpirtin tim.

Shkova atje. Bunari ishte i thellë 18 metra. Kishte pak hapësirë veprimi, por i nxora babë e bir.

 

Deri në ç’thellësi keni nxjerrë kufoma?

Ismail Kasumi – Kam nxjerr deri në thellësi 66 metra. Rasti ishte në Kaçanik të Vjetër. Dhe, më kanë dal të sakta fjalët e babait, Ibrahimit, kur më thoshte se kur shkon me nxjerr një kufomë për riza të Zotit, edhe litari më i hollë bëhet sa dora i trashë e nuk këputet.

A ke pasur rast të të rrezikohet jeta në bunar apo në ujë?

Ismail Kasumi: – Po, rasti më i rëndë ka qenë në Kuçicë. Kam hyrë në bunar me aparat të zjarrfikësve. Poshtë aparati më është prishur dhe duhma e kufomave ishte shumë e madhe. Mezi ka arritur me i nxjerrë kufomat dhe të dilja nga bunari, sepse duhma më pengonte të merrja frymë.

A ke pasur rast të mos kesh sukses?

Ismail Kasumi: – Në rastin e kërkimit të djalit Erjon Demaj, nga fshati Pollatë, edhe pasi i kaluam 10 kilometra kërkim, nuk gjetëm asnjë gjurmë. Ky rast është enigmatik dhe unë personalisht mendoj se ai është gjallë dhe nuk ka përfunduar në ujë. Për ta dëshmuar këtë po e përmendi se para dy vitesh, në po këtë zyrë ku jam tash, më është bërë një telefonatë prej një personi, i cili më ka pyetur: “A je ti Ismail Kasumi që po e kërkon kufomën e Erjonit?”. I kam thënë po. Më tha mos e kërko se ai është gjallë. Sipas fjalëve të tij atë e kishte marr halla e tij. E kam paraqitur rastin në polici, por nuk është gjetur ai numër prej nga ka thirr personi anonim.

Safet Krivaça

 

Baby Boo