Nuredin Dumani zbërthen vjedhjen e madhe të Elbasanit: Grabitëm me Talo Çelën dhe Gentian Sharrën 30 ora e mbi 8kg florinj

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani vijon të japë dëshmitë e tij në GJKKO në seancën e radhës të mbajtur për dosjen famëkeqe “Plumbi i Artë”, duke zbardhur kështu ngjarje të bujshme kriminale.

Kësaj radhe gjykata e ka pyetur Nuredin Dumanin mbi njohjen me Gentian Sharrën si dhe mbi aktivitetet kriminale që kanë kryer në bashkëpunim me njeri-tjetrin dhe me persona të tjerë.

Dumani tregon se Sharrën e njeh prej Talo Çelës, pasi ka patur një servis makinash pranë shtëpisë së këtij të fundit në Bradashesh në vitet 2010-2011. Gjithashtu ai ka rrëfyer një grabitje të madhe të kryer në fund të vitit 2011 ose në fillim të 2012, ku kanë marrë pjesë Nuredin Dumani, Talo Çela, Gentian Sharra dhe Ilirjan Keci.

Dumani: “Jam shpërngulur nga Dibra drejt Rrogozhinës, më pas në Durrës dhe kam lëvizur herë pas here. Në vitin 2020 kam marrë një apartament në Elbasan, përballë parkut.”

Nga e njihni Gentian Sharrën?

Dumani: “E njoh nga Talo Çela që prej vitit 2010-2011. Ai kishte një lokal pranë shtëpisë së Talo Çelës në Bradashesh. Gjithashtu, kishte dhe një servis, ku kam qenë disa herë, si vetëm ashtu edhe me persona të tjerë.”

I penduari i drejtësisë rrëfen se objektivi i grabitjes ishte një argjendari në Elbasan dhe bëhej fjalë për vlera të mëdha parash. Plani është ideuar nga Gentian Sharra dhe për detajet është biseduar në shtëpinë e Talo Çelës në Bradashesh.

Nga kjo grabitje ata kanë marrë me vete rreth 30 ora dhe 8.3kg flori të vendosura në çanta të zeza. Më pas kanë shkurar në katin e dytë të shtëpisë së Talo Çelës ku kanë hapur të gjitha sendet e grabitura.

Dumani: “Në fillim transportonim makinat e vjedhura dhe më pas organizonim grabitjet. Kjo grabitje ishte ndër më të mëdhatë që kemi kryer. Objektivi ishte një argjendari në Elbasan, u planifikua nga Gentian Sharra, i cili donte të merrte pjesë pasi ishte një shumë e madhe. Ditën e grabitjes, unë dhe Ilirjan Keci shkuam të parët. E goditëm viktimën në një parkim të një lagjeje të vjetër, teksa po shkonte drejt makinës së tij, një ‘Benz’ i vjetër. Më pas, Talo Çela dhe Sharra erdhën për të ekzekutuar pjesën tjetër të planit.”

Ku u diskutua plani për grabitjen?

Dumani: “Plani u bisedua në shtëpinë e Talo Çelës, e cila ndodhet pranë servisit të Gentian Sharrës. Shtëpia ishte dykatëshe me çati dhe në atë kohë nuk kishte portë, por vetëm rrjetë.”

Si ishte viktima dhe si u krye grabitja?

Dumani: “Viktima ishte trupmbushur dhe më i gjatë se unë. Grabitja u krye në orën 07:00-08:00 të mëngjesit, gjatë një dite me shi. I morëm dy çanta, një blu e errët ose e zezë, nuk e mbaj mend saktë.”

A e mësuat emrin e viktimës?

Dumani: “Nuk e kam fiksuar, pasi nuk më interesonte.”

Çfarë kishte brenda çantave?

Dumani: “Në çanta kishte bizhuteri të ndryshme, mbi 30 ora dhe rreth 8.3 kg ar, pa llogaritur orët. Pas grabitjes, shkuam në shtëpinë e Talo Çelës dhe i zbrazëm sendet në papafingo. Hoqëm çantat për të shmangur ndonjë pajisje GPS.”

Si u larguat nga vendngjarja?

Dumani: “Atë ditë kishim një ‘Benz 2500’ me ngjyrë blu të errët. Shkuam dhe u kthyem me të njëjtën makinë. Po ashtu, kishim dhe dy mjete të tjera, një ‘Rover 75’ dhe një tjetër ‘Benz 2500’.”

Çfarë ndodhi me çantat e grabitura?

Dumani: “Çantat i hoqi Talo Çela, por nuk e di se ku i çoi.”