Numri i personave të diagnostifikuar me karcinom në lëkurë po shënon rritje

Çdo vit regjistrohen përafërsisht 200 pacientë me llojin më vdekjeprurës të kancerit melanomën malinje. Vendi ynë nuk posedon statistikë për numrin e personave të prekur, por pacienti më i ri që është prekur është në moshën 13 vjeçare.

Baby Boo

Nëse diagnostifikohet në stadium të hershëm, shanset për shërim janë 90 për qind. Andaj, specialistët bëjnë thirrje që për çdo ndryshim të lëkurës apo nishaneve të konsultohen mjekët.

“Në kirurgjinë plastike, fëmija 13 vjeçar është pacienti më i ri i operuar, por ka edhe pacientë në moshë prej 20 deri më 26 vjeç që kanë përfunduar në mënyrë fatale. Në patogjenezën e melanomës ka shumë faktorë dhe ata janë enigmë e madhe, gjenetika, ngjyra e lëkurës, disa anomali në kromozome dhe të gjitha së bashku ndikojnë në paraqitjen e melanomës”,- deklaroi drejtoresha në kirurgjinë plastike, Sofija Pejkova.

“Secili person që konsideron se ka ndonjë ndryshim në lëkurë, që ndryshon formën apo ngjyrën, duhet të kontrollohet në dermatolog, që të konstatohet se a nevojiten analiza të mëtejshme”,- tha dermatologu, Nebojsha Peshiq.

“Problematike janë stadiumet e mëvonshme, sepse detektimi i hershëm mundëson shërim të plotë përmes operacionit. Por, gjithsesi ka citostatik për këta pacientë, por deri më tani me citostatikë furnizohet vet klinika e onkologjisë”,- theksoi onkologu, Niko Vasev.

Ndërkohë, ministri i shëndetësisë, Venko Filipce, paralajmëroi zgjerimin e listës pozitive me citostatik të rinj dhe furnizim qendror me ilaçe, që do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Do formojmë komision që do të ketë për qëllim të grumbullojë mendimet profesionale të klinikave për ilaçet që nevojiten dhe do të ketë furnizim qendror, në mënyrë që Ministria e Shëndetësisë do të marrë për obligim furnizimet me ilaçet më të shtrenjta dhe më të reja të cilat veç më përdoren në vendet e BE-së”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Dermatologët po ashtu paralajmërojnë të jemi të kujdesshëm gjatë ekspozimit në rreze ultravjollcë dhe solariume, sepse ato janë ndër faktorët që shkaktojnë melanomë.