Nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, LSDM dhe BDI le të tregojnë rezultatet e tyre në zgjedhjet lokale, thotë Mickoski

“VMRO-DPMNE është gati të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare qysh nesër,” deklaroi sot kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, teksa iu përgjigj një pyetjeje nga gazetarët nëse do të pranonte zgjedhje të parakohshme parlamentare në rast se LSDM propozon shpërndarjen e Kuvendit, si një nga opsionet e përmendura.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se çështja nuk është nëse duhet të shkohet tani në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nëse është e nevojshme të shpenzohen 10 milionë euro shtesë për zgjedhje, që janë para të qytetarëve. Ai theksoi se gjatë asaj periudhe sistemi do të ndalojë, reformat nuk do të zbatohen, vetëm që, siç tha Mickoski, “LSDM të përballet edhe një herë me një humbje të madhe.”

Mickoski deklaroi se do të preferonte të punonte për katër vjet dhe të angazhohej për të mirën e qytetarëve. Ai shtoi se mandati i kësaj qeverie është për katër vite dhe, megjithëse VMRO-DPMNE është e përgatitur për zgjedhje edhe nesër, vendimet e tyre janë në interes të qytetarëve, jo për kënaqësinë e individëve.

Kryeministri shtoi se vendimet duhet të merren bazuar në pritjet e qytetarëve dhe se zgjedhjet e ardhshme lokale janë një mundësi për partitë që të kuptojnë nivelin e besimit që kanë nga qytetarët.

“Ja, zgjedhjet lokale do të mbahen për rreth dhjetë muaj nga sot. Do të kemi fushatë dhe përafërsisht do të shohim ku qëndrojmë. Unë do të dëshiroja që dy partitë më të mëdha opozitare dhe një parti më e vogël, të freskohen në programet dhe strukturat e tyre dhe ta tregojnë këtë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Atëherë mund të flasim për nevojën ose jo për zgjedhje të parakohshme parlamentare,” tha Mickoski gjatë vizitës në Odën Ekonomike për Teknologji Informative dhe Komunikimi – MASIT.