Nuk ja vlen të jesh shkrimtar, por të kesh vëlla një narko-diler

(Fjalë e mbajtur në promovimin e librit tim “Ankth”, në festivalin Ditënetët e Librit. 19 Maj 2018, Tiranë)

Baby Boo

Quhem Xhevdet Pozhari, linda me 18 maj, të vitit 1981 në Gjakovë. Lindja ime koinçidoi me përvjetorin e vdekjes së Titos, ish liderit të sistemit komunist në ish Jugosllavi. Gjatë rritës sime, do të copëzoheshin të gjitha republikat në kërkim të mëvetësisë. Hallka e fundit e zinxhirit do të ishte Kosova, e më e dhimbshmja, Bosnja.

Sot, saktësisht 37 vite e një ditë pas lindjes time u ftova në Tiranë për të folur rreth librit tim me tregime, “Ankth”. Ditën e parë të ditëlindjes e fillova me një mik të çmuar i cili ndau një rrëfim të dhimbshëm që do të më mbante të mbërthyer gjatë tërë ditës, kur unë, sonte në mbrëmje duhej të flas për libërthin tim. Miku im më fliste për ditën kur ambasada greke ia kishte aprovuar vizën atij, ndërsa e kishte refuzuar vizën e të birit, asokohe 4 vjeçar. Vizat u duheshin që vogëlushi të kurohej jashtë shtetit. Vazhdimin e ngjarjes mund ta gjeni po të rrëmoni në tekstet e mikut tim, ngaqë për fatin e keq të burokratit në ambasadën greke, babai që kërkonte jo vetëm vizë por edhe shpresë për të birin e tij, rastisi të jetë shkrimtar! Përfundimi: ai dhe biri u pajisën me vizë italiane, por kurrë më nuk kërkuan vizë greke.

Ky rrëfim më ndërmendi të vërtetën e trishtë se sa familje kosovare edhe sot e kësaj dite janë të detyruara të presin ë ngujuara në radhët e stërgjata të ambasadave, për një vizë, për pak shpresë në kohën kur politikanët e Kosovës falën edhe territor në këmbim të liberalizimit të vizave dhe si shpërblim morrën një dush të ftohtë. Ndërkohë që “xhelatët” e shqiptarëve të Kosovës, pa problem e shëtisin Evropën.

Jam Xhevdet Pozhari, i lindur në një lagjen ku fqinjë të parë kisha shtëpinë e Emin Durakut, heroit të luftës së dytë botërore, ndërsa pak më tej ndodhet shtëpia e heroit të luftës së fundit në Kosovë, Elton Zherrkës.

E, tillë është vendlindja ime, Gjakova: me zemër të madhe, e fjalëpak, sidomos në këto kohë kur budallenjtë flasin gjithandej, e të tjerët duhet të përtypin në heshtje këtë çmenduri thuajse kolektive që i ka pushtuar në veçanti shtetet e brishta që kanë në periudhën e pas tranzicionit.

Kam edhe dy vëllezër më të vegjël. Asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me mafian e drogës, kështu që gjasat për të qenë ministër i kam zero! Jam edhe prind i dy fëmijëve që si sfungjer në fazën e tyre më të dëlir jetësore përthithin çdo shqetësim apo gëzim që mundohem ta ndaj me ta që në mos tjetër, atyre t’ua ofroj një jetë me sa më shumë ngjyra që gradualisht do të shtresohen në zemërbardhësinë e tyre.
Jam bashkëshort i një gruaje që së shpejti pritet të doktorojë në drejtimin penal, në një periudhë ku të fuqishmit e tokës dhe nëntokës politike e shkelin paqtë ligjin.

… Sot është data 19 maj, jam ftuar të flas për promovimin e librit tim – Ankth. Rastisi të jetë dita kur ngjarja më e madhe kulturore me gjasë është martesa e princit britanik, të birit të Charlesit dhe Dajanës. Nëna e tij, ndjestë pastë, ishte personfikimi i Evropës, identitetit që me aq ngulm e kërkojnë “pro-perëndimoret” më të zëshëm shqiptar! Fatmirësisht, nuk u nda apo martua ndonjë “Vip” shqiptar, se ne të tjerët kot do të jepnim lajmin, se diku në një kthinë të mbyllur të muzeut historik në Tiranë, u thanë ca fjalë për një libërth.

E, Tirana ruan bukurinë e saj. Të paktën për gjeneratën time që u rrit në kohërat e divorcit nga bashkëjetesa e panatyrshme e Kosovës me shtetet sllave dhe ngjizja e dashurisë për rrënjët e popullit shqiptar që kufizohej në srcilën anë me vetveten.

Para se të dilja para jush, më shkrepi në mendje që të blejë një bluzë të përshtatshme në shenjë respekti ndaj atyre 4-5 personave që do të vinin mbase për të dëgjuar një rrëfim të një njeriu të vogël që dikur kishte ëndrra të mëdha. Bluzë që një ditë do të më shërbente edhe si relike për të kujtuar këtë ditë, kur do të shndërrohet në një të kaluar të largët. Dhe si çdo i huaj në vendin e vet, përfundova në dyqanet ku një bluzë kushtonte 200 euro, e një këmishë 500 euro! Nuk ishin për shijen time, m’u dukën se kishin disa fije defekt që nga prodhimi në fabrikë. Madje, as ngjyrat nuk më shkonin! Befas nisi të më pëlqejë dhe të ndjehesha rehatshëm si në lëkurën time, bluza që kisha blerë në Kosovë ku ndjehen me fat ata që kanë të ardhura mujore në vlerë të një këmishe në Tiranë!

… Ditën e vazhdova në një kafene përballë piramidës dhe nuk kisha si mos të ndërmend ngjarjet e 97-shtës, kohës së “piramidave” kur televizionet tona raportonin vetëm me ngjyra “bardhezi”, e Shqipërinë mund ta shihja vetëm nga ekranet.

E, sot në Shqipërinë e ylbertë dhe përplot spektakle të “piktorit”, gëzohem që së paku çdo vizitorë i huaj mund t’ia lejojë vetes vetëgenjimin, qoftë për disa çaste, se brenga më e madhe e banorëve në këtë vend janë mosgjetja e ngjyrës adekuate të një këmishe, qoftë ajo “rozë” apo “blu”. Se Shqipëria lulëzon nga zhvillimi, ndërsa shkalla e kriminalitetit dhe korrupsionit është edhe më e ultë se në shtetet skandinave…

Sot, të nderuar të pranishëm jam i ftuar të promovojë një libër, kopja e të cilit nuk kalon vlerën prej 3 – 4 eurosh. Aq sa botuesit t’i zbutet barra dhe të mos ndjehet tërësisht i zhgënjyer pse nuk zgjodhi ndonjë zeje që do t’ia mundësonte të investojë në “zogun e ndonjë dive” apo “gjoksin e ndonjë luaneshe”…

Quhem, Xhevdet Pozhari, i lindur në Gjakovë. Dhe rrugëtimi im si shkrimtar, sapo ka filluar!