“Njerëzit blu” të Saharasë, një botë magjike e nomadëve të shkretëtirës


Veshja magjepsëse blu e Saharasë po bëhet një relikt nga e kaluara, por në Mauritania, kjo traditë është ende gjallë. “Daraa” ose “boubou sahariane”, një pelerinë e gjatë dhe e lirshme, dhe “tagelmusts”, një vello prej pëlhure që përdoret si çallmë, janë dy elementet kryesore të veshjeve për burrat nomadë të Saharasë.

Origjina e veshjeve afrikano-veriore nis që nga shekujt e XVII dhe XVIII, në kohët e hershme të tregtisë trans-Sahariane. Ndonëse disa vendas thonë se veshja simbolizon ndrojtjen dhe modestinë e këtyre njerëzve, në fakt funksioni i saj themelor është të mbrojë kundër diellit, stuhitë e shpeshta të rërës, si dhe ndihmon burrat saharianë të ruajnë ujin e trupit në mes të shkretëtirës.

Popullatat nga të gjitha statuset shoqërore në Afrikën Veriore mbanin veshur “daraas”, por ngjyrat vareshin nga pozita e dikujt. Tregtarët e pasur mbanin “daraa” të bardha pasi ata kishin mundësi të pastronin rrobat e tyre çdo ditë, ndërsa skllevërit zakonisht i vishnin të zeza, pasi ata shpesh punonin në mjedise të papastra.

Me kalimin e kohës dhe fuqizimin e tregtisë në këto vende, nisën të shfaqeshin edhe tunikët me ngjyrë, falë përhapjes së ngjyrave dhe teknikave të ngjyrosjes. Kështu, tunikët me ngjyrë blu të errët ishin perfekte për njerëzit që nuk mund të përballonin “daraas” të bardha, por që gjithashtu nuk donin të vishnin ato të zeza.

Tregu qendror në kryeqytetin e Mauritanisë, Nouakchott, është me të vërtetë një botë blu. Shumë shitës ofrojnë vetëm veshje blu, dhe të paktën një në çdo katër burra vesh një “daraa” blu. Ngjyra blu shtrihet përtej veshjeve dhe mund të gjendet në batanije, çadra, por edhe në elemente arkitektonike si dyert, tavanet dhe gardhet. Edhe pse ngjyra blu përfaqëson qiellin dhe hyjninë në Kuran, mauritanianët vendas kanë një arsye më praktike për ta përdorur atë: është ngjyra perfekte për mbrojtje nga dielli.

Kohët e fundit, versionet e veshjeve sahariane kanë frymëzuar edhe modën në Evropë. Këtë vit, shtëpia luksoze e modës italiane, “Valentino”, mori frymëzim nga “daraa” tradicionale sahariane, për koleksionin e saj pranverë/verë 2021.

Baby Boo