Një vit pas burgosjes, Navalny po jeton në “ferr të gjallë”


Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, është duke shënuar përvjetorin e parë të arrestimit të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny me thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë nga autoritetet ruse lirimin e politikanit opozitar.

Kjo Organizatë ka kërkuar edhe që t’i jepet fund “fushatës së paparë të shtypjeve” kundër mbështetësve të Navalnyt, duke thënë se janë “zhdukur të gjitha të drejtat për liri të shprehjes” në këtë shtet.

Marie Struthers, drejtore për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International, ka thënë se një vit prej kur është burgosur Navalny, ai, mbështetësit e tij dhe organizatat e shoqërisë civile në Rusi “janë përballur me shtypje të pamëshirshme”.

Navalny është ndalur në Aeroportin e Moskës në janar të vitit të kaluar pasi ka arritur nga Berlini, ku është mjekuar për helmimin që i është bërë në Siberi, në gusht të vitit 2020.

“Dhjetëra mbështetës dhe bashkëpunëtorë të Navalnyt janë duke u përballur me ndjekje penale, dhe një numër i madh prej tyre tashmë janë nëpër burgje”, ka thënë Struthers, derisa autoritetet ruse “i kanë shpallur organizatat e tyre si ‘ekstremiste’ dhe ua kanë bllokuar faqet online”.

Disa prej bashkëpunëtorëve kanë ikur nga shteti, duke u frikësuar nga persekutimi politik, “ndonëse vazhdojnë të jenë të shqetësuar se familjarët e tyre në Rusi do të përballen me fat të ngjashëm”, ka thënë ajo, duke shtuar se “në përvjetorin e ndalimit të tij, Navalny dhe aktivistët politikë të lidhur me të, janë duke jetuar një ferr të gjallë”.

Navalny është ndaluar në Aeroportin Sheremetyevo të Moskës më 17 janar të vitit 2021, dhe një gjykatë në Moskë ka vendosur dy javë më vonë se në kohën sa ka qenë ai në Gjermani, ka shkelur parimet e një dënimi me kusht për përvetësim, i cili konsiderohet i motivuar politikisht.

Për shkak të shkeljeve të pretenduara, dënimi i tij me kusht prej tre vjetësh e gjysmë është shndërruar në dënim me burgim, ndonëse gjykata ka thënë se ai do të kalojë dy vjet e gjysmë në burg, duke marrë parasysh kohën e kaluar në mbajtje.

Baby Boo