Një foshnje në gjendje të rëndë, familja kërkon përgjegjësi nga stafi i Neonatologjisë


Në vendin ku fillon jeta, po “lindin” edhe pakënaqësitë për trajtimin që po bëhet nga punonjësit shtetërorë. Një nënë pretendon se foshnja e saj nuk është trajtuar si duhet nga mjekët.

Familja Shala nga Mazgiti i Obiliqit po pretendon se si shkak i pakujdesisë së mjekëve, foshnja e tyre njëmuajshe ka lëndime në trup, dhe jo vetëm. Ndërkaq nga dy klinikat, ajo e Neonatologjisë dhe Gjinekologjia po deklarojnë se për shkak të vështirësive gjatë lindjes një muaj më parë, foshnja ka përjetuar ngërçe dhe asfiksion, si pasojë e mungesës së oksigjenit. Për këto, sipas tyre foshnja e gjinisë femër me inicialet A.Sh do te ketë pasoja edhe gjatë rritjes.

Nëna e foshnjës, Melihate Shala për të cilën është lindja e katërt, tregon se e gjithë shtatzënia kishte shkuar mirë dhe pa probleme, por që njëjtë nuk kishte ndodhur edhe me datën 13 prill, kur e kishte sjellë në jetë foshnjën e saj.

“Me datën 15 më thanë që foshnja ka mbetur pa oksigjen dhe mundet Zoti ta shpëtojë, foshnja është shumë e lodhur. U mërzita shumë, por nuk pata çfarë të bëj. Prapë të enjten ashtu më thanë që foshnja është e lodhur, dhe të premten erdha në shtëpi, foshnja mbeti aty se nuk kisha drejtë me pa foshnjën time… Një ditë një mjeke aty më tha ‘unë nuk e di foshnja jote si është, a po qan dhe a po lëviz, ajo ka qenë doktoresha Miradie’”, rrëfen ajo.

Melihatja, e cila është shumë e shqetësuar me gjendjen e fëmijës një muajsh, tregon se pas lindjes foshnja kishte qëndruar për 20 ditë në inkubator. Ajo shpreh dyshimin se gjatë qëndrimit aty, koka dhe këmba e foshnjës ka pësuar djegie.

“Të dielën ia pash një shenjë që e ka në kukë (kërdhokull) edhe një shenjë në këmbë edhe kokë. Është si e sosur (djegur), po duket si me qenë e vrarë, unë tash po dyshoj që foshnja ime është lënduar edhe në lindje edhe aty sa ka qëndruar në aparate është pakujdesi e motrave”, thekson Shala.

Dyshimet për këtë thotë se iu shtuan edhe pas disa kontrolleve që vajzës së saj iu bën në pediatri dhe tek dermatologu.

“E çova te mjeku i lëkurës, më tha si të sosura (djegura) po duken, por pa ia pa prej fillimit nuk kam se çfarë të them. E çuam në pediatri, mjekja e pediatrisë tha po të sosur (djegur) e ka, por kurrfarë dokumente nuk na i dha. Edhe këmbën edhe kokën, tha të sosura (djegura) i ka”, shton ajo.

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli deklaron për KosovaPress se Melihatja kishte pasur komplikime gjatë lindjes, për shkak që kërthiza e foshnjës ishte lidhur rreth trupit.

“Ju kanë bërë dy CTG, njëra në orën 12:10 dhe tjetra në orën 13:35, dhe janë perfekt, CTG është shkollore, tipike shkollore normale. Është bërë ekzaminimi në orën 13:15 dhe ka rezultuar 5 cm dhe është transferuar në sallën e lindjes në orën 13:30 ku është bërë ekzaminimi ka qenë 5 cm. Ka qenë një lindje e shpejtë, një lindje precipitate, ka lindur në orën 15:17, është vërejtur kordoni ombilikal, apo kërthiza rreth qafës dhe rreth trupit, beba ka lindur më një abgar 1-3. Nga ky moment është transferuar në Klinikën Neonatologjike”, deklaron ai.

Foshnja nga këtu është dërguar në Klinikën e Neonatologjisë, ku për 20 ditë është mbajtur në inkubator. Xhevdet Gojnovci, i cili është drejtor i kësaj klinike, thotë se foshnja ka përjetuar asfiksion.

“Abgari 1-3 ose vlerësimi 1-3 tregon se është një vuajtje për oksigjen, jo vetëm e sistemit nervor-qendror, por gjitha organeve, në këtë rast edhe të lëkurës. Dhe gjatë trajtimit apo qëndrimit në inkubator vjen deri te ishemia për shkak vuajtjes me oksigjen të lëkurës dhe mund të ketë ndonjë cikatri, mirëpo ato janë të kalueshme. Ajo që është shqetësuese janë konfuzionet, do të thotë ngërçet që ka përjetuar bebja për shkak të asfiksionit. Dhe klinika jonë trajton rreth 100 foshnje të tilla në vit dhe prognoza është shumë e keqe në këtë rast. Diku 2/3 e këtyre foshnjave përfundojnë me fatalitet, ndërsa 1/3 mbesin me probleme”, thekson Gojnovci.

Për këto pasoja që mund të ketë foshnja gjatë jetës, po shqetësohet edhe nëna e saj Melihatja. Veç se kjo po thotë se këto janë për shkak të pakujdesisë së mjekëve.

“ Unë tash kam frikë se foshnja ime do të ketë pasoja tërë jetën. Tash duhet ta dërgojmë në shumë mjekë, për shkak të këtyre lëndimeve… Te neurologu e kemi sot në ora 16:00, kështu na kanë udhëzuar se na kanë thënë që ju ka ënjtur truri foshnjës… Foshnja nuk po qan, kapak mundohet kështu, unë po kam frikë, pse nuk po qan edhe me lëvizë po lëvizë shumë pak”, shprehet ajo.

Melihatja për shkak të këtyre dyshimeve të pakujdesisë së stafit të Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë, rastin e ka paraqitur edhe në stacionin policor.

“Policia na i ka marrë deklaratat, i kanë thirr prokurorinë, non-stop kanë qëndruar duke folur me ata. Dhe ata na thanë paraqiteni rastin me shkrim, dhe ne merremi me këtë rast.. Ne tash po presim prej policisë edhe prej prokurorisë dhe të ndërmarrin diçka”, shton Melihate Shala.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar edhe Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, të rajonit të Prishtinës. Të njëjtit njoftojnë se me rastin po merren institucionet kompetente.

“Sa i përket pyetjes suaj ju njoftojmë se nga pala ankuese e kemi pranuar informatën dhe jemi duke e trajtuar në koordinim me institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës.

Melihatja, e cila shprehet e zhgënjyer me trajtimin që iu është bërë asaj dhe foshnjës së saj gjatë kësaj kohe nga stafi i këtyre dy klinikave, pret që institucionet kompetente të merren sa më parë dhe të zbardhet ky rast.

Baby Boo