Një elegji për Haki ef. Agushin


Shkruan: Rejhan Neziri

Sot po mbushet një vjet (e diel, 6 dhjetor 2020) nga largimi yt nga kjo botë! All-llahu të mëshiroftë e të mbuloftë me të mirat e Tij të pafund!

Mungesën tënde e ndien jo vetëm familja jote më e ngushtë, por e mbarë shoqëria dhe të gjithë ata që kanë pasur mundësi të të njohin. Ata i mbajnë mend kujtimet me bisedat, derset e këshillat që ua ke dhënë, kurdo që je takuar me ta. Të mbajnë mend për elegancën, për pedanterinë, për qëndrimin e drejtë dhe parimor në jetë, për peshën njerëzore dhe intelektuale që e reflektoje gjithandej …

Ndërsa unë të mbaj mend fillimisht si mualim në mektebin e xhamisë së fshatit Tearcë, edhe pse një kohë të shkurtër (vetëm Elifbanë, pa e harruar edhe Xhemil ef. Qazimin, tek i cili e mesova Kur‘anin dhe një pjesë të hifzit, Allahu e pastë mëshiruar!), pastaj si një mbështetës timin derisa isha në medrese dhe në fakultet. Vazhdimisht interesoheshe për mësimet dhe studimet, më pyesje për profesorët dhe për librat që i kisha lexuar brenda kohës nga takimi ynë paraprak. Kjo ishte shumë kohë para se të bëheshim miq.

Pasi nisi lufta në Sarajevë, ku isha për studime, në pamundësi që t‘i financoja studimet jashtë vendit, i dëshpëruar vendosa t‘i braktisja ato dhe të shkoja në gurbet për të punuar… Më takove në sheshin e Tetovës dhe më pyete se çfarë po bëja. Të thashë se po shkoja te një agjenci turistike për të shikuar mundësinë e ndonjë vize për në Gjermani. Ti prerazi më the: „Jo! S‘ke për të shkuar në gurbet. Ti do të vazhdosh studimet. Është humbje jo vetëm për ty të mos përfundosh studimet.“ Prej aty shkuam bashkë pastaj në myftininë e Tetovës dhe u angazhove aktivisht për mua që të gjeja rrugë për vazhdimin e studimeve.

Arsimimin dhe edukimin i ke dashur pafundësisht. S‘kishte si të ishte ndryshe, pasi ti ishe brumosur në Damask të Sirisë dhe ishe pjekur në Kajro të Egjiptit, dy qendrat më me rëndësi të teologjisë islame. Nuk reshte së lexuari deri në frymën e fundit. Ti nuk mund të mos lexoje, të mos e ndiqje aktualitetin politik, ekonomik, fetar e kulturor të vendit… Ishe njeri dhe hoxhë i kohës, nuk jetoje jashtë saj.

Këtë etje për mësim e studim e dëshmove te fëmijët e tu, duke i shkolluar të gjithë ata me fakultet, më së paku. Ti ishe aktiv në jetë, jo vetëm në fushën fetare, por në të gjitha sferat e tjera të jetës. Ishe i hapur ndaj së resë, nuk ishe konservativ dhe fanatik i së vjetrës, edhe pse e doje dhe e çmoje atë. Ti nuk i trembeshe të resë, së ardhmes. Ishe ndër të parët që i dërgove vajzat e tua ta merrnin lejen për vozitje dhe me këtë rast s‘e kishe brengën se çfarë do të thoshte alemi.

I hapur po ashtu ishe edhe për qasjet e reja ndaj fesë. Sa e sa biseda që i kemi zhvilluar këtu në Zvicër, kur vije mysafir, dhe për të cilat shumëkush nuk do të kishte mirëkuptim, por ti dëgjoje me kujdes dhe e peshoje edhe një herë… Të pëlqenin qasjet dhe interpretimet e reja ndaj fesë dhe jetës, e kuptoje shumë mirë se dinamika dhe gjallëria e fesë duhej të përçohej e të përputhej me dinamikën e jetës, të kohës dhe vendit. Jo çdokush i moshës sate mund të ishte kaq i hapur për këto tema …

Si zakonisht që ndodh me njerëzit e mëdhenj, edhe me ty po përsëritet e njëjta gjë: peshën e vërtetë të vendit tënd e kuptuam kur ike nga kjo botë…

Falemnderit për gjithça që më mësove, më këshillove e më orientove… All-llahu i Plotmëshirshëm të mbuloftë me begatitë e Tij dhe na takoftë në Xhennetu‘l-Firdeus! Amin!

Baby Boo