Nis seanca gjyqësore, Jakup Krasniqi paraqitet para Gjykatës Speciale


Ka nisur seanca gjyqësore ku ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, është paraqitur për herë të parë para Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale, raporton Gazeta Express.
Në paraqitjen e parë, Krasniqi ka të drejtë ta zgjedhë një avokat mbrojtës ose kjo t’i caktohet nga Specialja. Në këtë paraqitje, atij i lexohen akuzat dhe informohet se brenda 30 ditësh duhet ta deklarojë fajësinë apo pafajësinë në lidhje me to. Ai mund të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë qysh në paraqitjen e parë.

Të mërkurën, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve

Baby Boo