Ngritja e taksës doganore nga Kosova rrezikon 10.000 vende pune në Bosnjë


Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Vjekoslav Vukoviq, tha sot se në këtë vend rrezikohen 10,000 vende pune pasi Kosova rriti taksën doganore ndaj produkteve boshnjake në 100 për qind.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në Sarajevë, u theksua se eksportet e BeH në vendet e CEFTA përbëjnë 15% të totalit, ndërsa Kosova përfaqëson vetëm katër për qind të eksportit në mesin e vendeve të CEFTA-s.

Vukoviq tha se Bosnja eksporton mall në Kosovë në vlerë 10 herë më të lartë se importet, për shkak të të cilës vendosja e një kundërmase nuk do të kishte efekt.

Ai shtoi se adresa e duhur për këtë situatë është Komisioni Evropian si bartës i CEFTA-s, pasi nuk ka mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve brenda kësaj marrëveshjeje tregtare.

Është specifikuar se një e pesta e eksporteve të Bosnjës në Kosovë janë prodhuar nga Republika Serbe, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga produktet nga Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Produktet kryesore të eksportit nga BeH në tregun e Kosovës janë qumështi, vaji dhe prodhimet e letrës.

Ndryshe, sot më herët Sarajeva zyrtare paralajmëroi se nuk do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Kosovës për shkak të ngritjes së taksës doganore të mallrave prej 100 për qind, por kërkon që Prishtina zyrtare të heqë sa më parë masat e ndërmarra.

Qeveria e Kosovës dje vendosi për ngritjen e taksës doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në 100 për qind.

Baby Boo