Ngrirja e çmimeve, do të kursehen vetëm 200 denarë në muaj


Llausha ZENUNI

Shkup, 20 mars – Ngrirja e çmimeve është vendim i vonuar, thonë shoqatat, të cilët konsiderojnë se për këtë arsye – tashmë një vendim i tillë është i parëndësishëm. Me masën e re të Qeverisë, çmimet po kthehen në nivelin e shtatorit të kaluar, kur inflacioni ishte veçmë i lartë. Ndërkohë që Qeveria vazhdon të deklarojë se po lufton kundër inflacionit të lartë në vend, derisa masat e saj të fundit për ngrirjen e çmimeve janë kritikuar nga sindikatat që e konsiderojnë këtë veprim të vonuar. Qëndrimi i tyre është se ngrirja e fundit e çmimeve të produkteve ushqimore bazë nuk do të nënkuptojë ulje të shpenzimeve mujore të qytetarëve, sidomos jo në kushtet kur inflacioni në vend është ndër më të lartët në Evropë. “Shteti është dashur të reagojë më herët dhe të mos lejojë që çmimet e bukës, miellit, qumështit dhe vajit të ullirit të rriten për 120 për qind. Prandaj, ngrirja e fundit e çmimeve nuk do të ndikojë pozitivisht në buxhetet e qytetarëve”, thotë Trpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Administratës, Autoriteteve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (UPOZ).

Advertisements

“Jemi vonë me masën. Qeveria duhet të reagonte më herët dhe të ngrinte çmimet siç kanë bërë pothuajse të gjitha vendet e rajonit si Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Kursimi me blerjen e makaronave, bukës, qumështit dhe produkteve të qumështit do të jetë rreth 200 denarë për një muaj. Por, kur t’i shihni çmimet e tjera, të mishit, pemëve dhe perimeve, për ne nuk do të ketë lehtësim”, shtoi Deanoski.

Nga ana tjetër, inflacioni mesatar vjetor në vitin 2022 në Maqedoni ishte 14.2 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë u rrit për 12.6 për qind, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave. Rritja më e madhe e indeksit të kostos është vërejtur te ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat janë rritur me 20,9 për qind në një vit.

Në terren që dje kanë dalë inspektorët e tregut, të cilët po kontrollojnë nëse po respektohet vendimi për çmimet e ngrira të bukës, makaronave dhe produkteve të qumështit. Janë kryer mbi 250 kontrolle në të gjithë vendin dhe deri më tani – për mos respektim të vendimit të Qeverisë janë kapur disa markete. “Shuma për këto katër subjekte ekonomike për të cilat janë lëshuar urdhërpagesa është 1.120.000 denarë”, tha të shtunën Goran Trajkovski, drejtor i Inspektoriatit Shtetëror të Tregut. Ndërkohë që sot (e hënë) do të vendoset nëse do të ngrihen edhe çmimet e vezëve, sheqerit dhe orizit. Analizat për këto produkte janë gati dhe do të shqyrtohen të hënën në seancën e re të Qeverisë. Për momentin, autoritetet nuk bëjnë të ditur nëse dhe sa ka hapësirë ​​për korrigjimin e këtyre çmimeve. (koha.mk)

Baby Boo