Ngjarja që bëri një hero dhe ngriti disa pikëpyetje…


Një emigrant nga Mali u bë hero 3 ditë më parë në Francë, pasi ngjiti pa asnjë lloj mbrojtjeje 4 kate të një ndërtese të Parisit për të shpëtuar një fëmijë që ishte duke rënë nga ballkoni.

Pamjet filmike të ngjitjes spektakolare të Mamoudou Gassama dhe kapjes së fëmijës, duke i shpëtuar jetën, janë përhapur me shpejtësi në mediet sociale. Brenda më pak se një minuti, i riu 22-vjeçar është kacavjerrë nga një ballkon në tjetrin, duke mbërthyer në kohë fëmijën, që fqinji i vet mezi po arrinte ta mbante.
Po nga kjo ngjarje dolën edhe disa pikëpyetje, nga të cilat kanë marrë edhe përgjigje, ndërsa babai i fëmijës rrezikon tashmë 2 vite burg.

Si djali përfundoi i varur në ballkon? Mediat shkruajnë se djali ishte lënë nga nëna e tij nën kujdesin e babait, por ky i fundit ishte treguar i papërgjegjshëm. Ai kishte shkuar për të bërë pazar, tha prokurori francez Francois Molins. Kthimi i tij në shtëpi, gjithashtu ishte vonuar sepse luante lojën “Pokemon Go”.

Pse fqinji priti të reagonte deri sa të vinte Mamoudou? Fqinji, i quajtur Florian, foli për CNN, duke thënë se po hezitonte të reagonte pasi ishte i frikësuar se fëmija mund të binte nëse ai do të afrohej me shpejtësi për ta shpëtuar. “Doja të veproja me kujdes mbi të gjitha dhe sigurisht nuk doja të rrezikoja jetën e fëmijës”, tha ai.

Mamoudou ishte duke ecur në rrugë, kur pa turmën e njerëzve të mbledhur poshtë pallatit, e më pas të miturin që mund të rrëzohej nga moment në moment. Ai nuk u mendua gjatë, por nisi menjëherë të ngjitej, edhe pse ishte shumë e rrezikshme.
I pyetur se çfarë e shtyu të vepronte ashtu, ai u përgjigj: Ishte një fëmijë atje lart, nuk mund ta lija, duhej ta shpëtoja.

Presidenti Macron e priti 22-vjeçarin në Pallatin “Elize”, ku e falënderoi personalisht. Prej gjestit të tij spontan, emigranti tani do të marrë nënshtetësinë franceze e do t’i bashkohet Repartit të Zjarrfikësve.

Babai i fëmijës ishte i tmerruar pas ngjarjes, por në të njëjtën kohë edhe i penduar për veprimin e tij. Ai tashmë rrezikon edhe 2 vite burg për papërgjegjshmëri ndaj fëmijës.

Baby Boo