Nga anesteziologë e pediatër…, mezi i gjen!


Anesteziologë, neurologë…, e deri në pediatër janë profilet që i mungojnë sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut. Madje në konkursin e fundit për anesteziolog në Klinikën për Gastroenterohepatologji nuk ka aplikuar asnjë kandidat. Lista e specialiteteve që nevojiten më së shumti, por që janë të pakët në numër sipas analizave të Ministrisë së Shëndetësisë poashtu përbëhet edhe nga internistë të përgjithshëm, radiologë e specialistë të biokimisë mjekësore. Për rrjedhojë ata që e vuajnë dhe pësojnë nga këto mungesa janë pacientët – që rëndom duhet të udhëtojnë për një vizitë mjekësore në kërkim të specialistit, apo në raste të tjera të vendosen në listën e pritjes si për ekzaminime ashtu edhe për operacione. Deficiti rëndon edhe stafin mjekësor, i cili shumë shpesh duhet të mbulojë mungesën e kuadrit profesional. Nga Shoqata e Mjekëve Privatë, kryesisht e përbërë nga mjekë të familjes që monitorojnë mungesat në terren pohojnë se në shumicën e qyteteve hasin në probleme serioze.

Për shembull, në spitalin e Velesit është një kirurg, në spitalin e qytetit të Shkupit ka mungesë të anesteziologëve. Në Prilep numërohen 3 pediatër dhe të gjithë janë në pension, ndërsa në Gjevgjeli fëmijët i kontrollon një mjek, i cili punon si mjek familje dhe njëkohësisht në spital. Në Pehçevë ka 1 mjek familjar i cili është 62 vjeç, në Prilep janë tre pediatër dhe së shpejti do të pensionohen (të gjithë janë mbi 63 vjeç) dhe 6 mjekë të përgjithshëm familjarë mbi 62 vjeç. Në Strugë janë disa mjekë të moshës 67 vjeçare. Situata nuk është e mirë në Shkup. Në Dibër janë shtatë mjekë mbi 60 vjeç, ndërsa në Shtip janë 3 mjekë të moshës 62 vjeçare. Në Kërçovë janë 3 mjekë me përvojë të gjatë pune. Dr. Lilija Çolakova-Dervishova kryetare e Shoqatës së mjekëve potencon se e gjithë kjo situatë nënkupton se kemi nevojë për hapa të shëndetshëm dhe të shpejtë. “Prej kohësh kemi bërë hapa të gabuar që kanë të bëjnë me personelin shëndetësor, ose nuk i kemi ndërmarrë hapat e duhur. Rreth 4 vjet më parë kam informuar se në një qytet të vogël janë 18 mjekë familjarë dhe sugjerova që gjysma e tyre të dërgohen për specializim. Kështu, ata që do të punojnë si mjekë familje dhe do të kenë mjaft pacientë, të tjerët do të plotësojnë nevojat shëndetësore të popullatës. Por kjo u shpërfill. Qëndrimi im është që po ashtu të ketë spitale rajonale ku do të kryhen operacione nga mëngjesi në mbrëmje dhe do të ketë një staf të plotë që punon në kirurgji”, pohon Çolakova-Dervishova.

Nga ana tjetër autoritetet shëndetësore shpresojnë të trajtojnë këtë problem social i rënduar edhe më shumë nga politikat e gabuara shëndetësore. Nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se janë duke përgatitur një program katërvjeçar për nevojat e stafit specialist dhe subspecialist. “Për rritjen e numrit të specializimeve shtetërore, në shtator 2018, Ministria e Shëndetësisë bëri një shtesë në këtë program, i cili parashikonte më shumë se 200 specializime shtetërore. Gjithashtu, për periudhën 2019-2022 është përgatitur një program i ri i cili është miratuar nga Qeveria”, thonë nga MSH.

Ish ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, lidhur me mungesën e anesteziologëve deklaroi se anesteziologjia është një profesion i mangët jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe në Bashkimin Evropian. “Janë gjithnjë e më shumë procedura dhe metoda ku anestezia nuk përdorej më parë, ndërsa tani për lehtësinë e pacientëve dhe për përhapjen e procedurave indikative përdoren gjithnjë e më shumë. Është kudo në botë, jo vetëm këtu. Prandaj kemi dhënë kaq shumë pëlqime për punësim në Klinikën e Anestezisë dhe specializime të reja. Por ne u përballëm me mungesë të mentorëve, na duhet një qasje e planifikimit që tani po e zbatojmë. Me qëllim të rritjes së numrit të anesteziologëve, filluam shkëmbimin e anesteziologëve në mes të institucioneve të ndryshme shëndetësore, në mes të Klinikës së Anesteziologjisë dhe spitaleve të tjera në Shkup, por edhe spitalet e tjera të përgjithshme në vend, në Gjevgjeli, Kavadar, Shtip dhe Koçan kanë marrëveshje shkëmbimi. Ai model funksionon kudo në botë”, ka deklaruar ish ministri. (koha.mk)

Baby Boo