New York Times: Izraeli e dinte për më shumë se një vit se Hamasi po planifikonte një sulm të paprecedentë


Inteligjenca ushtarake e Izraelit ka marrë një dokument nga lëvizja islamike palestineze Hamas prej rreth 40 faqesh, i cili përshkruan në detaje një sulm të madh si ai që ekstremistët kryen më 7 tetor në Izrael, raportoi të enjten gazeta e përditshme amerikane.

Ky dokument, i cili qarkulloi në qarqet e inteligjencës me emrin e koduar “Muri i Jerikos”, nuk specifikonte një datë për sulmin e mundshëm, por specifikonte pika që lidhen me sistemin e sigurisë izraelite dhe sulmet në qytete dhe baza ushtarake.

Dokumenti përshkruan planet për një sulm me raketa, dronë që shkatërrojnë kamerat e sigurisë dhe sistemet e mbrojtjes, pastaj luftëtarët që kalojnë në anën izraelite me paragliderë, makina dhe në këmbë.

Dokumenti u shpërnda gjerësisht në mesin e udhëheqësve të ushtrisë dhe inteligjencës izraelite, por ekspertët përcaktuan se një sulm i një shkalle dhe ambicieje të tillë ishte përtej aftësive të Hamasit, sipas dokumenteve dhe zyrtarëve. Është e paqartë nëse kryeministri Benjamin Netanyahu ose udhëheqës të tjerë të lartë politikë e kanë parë dokumentin, raportoi New York Times.

Vitin e kaluar, menjëherë pas marrjes së dokumentit, zyrtarë nga divizioni ushtarak izraelit në Gaza, përgjegjës për mbrojtjen e kufirit të Gazës, thanë se qëllimet e Hamasit ishin të paqarta.

“Nuk është ende e mundur të përcaktohet nëse plani është pranuar plotësisht dhe si do të shfaqet”, tha një vlerësim ushtarak i parë nga The New York Times.

Më pas, në korrik, vetëm tre muaj para sulmeve, një analist veteran nga Njësia 8200, agjencia e inteligjencës izraelite, paralajmëroi se Hamasi kishte kryer një stërvitje intensive njëditore që dukej e ngjashme me atë që ishte përshkruar në plan.

Por një kolonel në divizionin e Gazës hodhi poshtë shqetësimet e saj, sipas emaileve të koduara të parë nga The Times.

“Unë e mohoj plotësisht që skenari është imagjinar”, shkroi analisti në një shkëmbim email. Stërvitja e Hamasit, tha ajo, përputhet plotësisht me “përmbajtjen e Murit të Jerikos”.

“Është një plan i krijuar për të nisur një luftë”, shtoi ajo. “Nuk është vetëm një sulm ndaj një fshati.”

Zyrtarët privatisht pranojnë se nëse ushtria do t’i kishte marrë seriozisht këto paralajmërime dhe do të kishte vendosur përforcime të rëndësishme në jug, ku Hamasi ka sulmuar, Izraeli mund t’i kishte zbutur sulmet ose ndoshta edhe t’i parandalonte ato.

Baby Boo