Nënpresidenti Mike Pence priti Kryeministrin Zoran Zaev


Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence priti të enjten në Shtëpinë e Bardhë Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev për të biseduar mbi zhvillimet aktuale në Maqedoni, para referendumit të 30 shtatorit.

Siç thuhet në njoftimin nga Shtëpia e Bardhë, Nënpresidenti Pence e ka uruar Kryeministrin Zaev për Marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë, që është një zgjidhje afatgjatë e problemit të emrit midis dy vendeve, ndërsa e ka falënderuar për lidershipin në sigurimin e marrëveshjes.

Nënpresidenti ka nënvizuar se Marrëveshja e Prespës do të çojë drejt një sigurie më të madhe dhe mirëqenies për të gjithë rajonin.

Pence dhe Zaev kanë diskutuar mbi hapat e ardhshëm të zbatimit të marrëveshjes.

Ndërkohë kryeministri Zaev u shpreh se “mundësia për takimin vjen në një çast historik për Maqedoninë kur qytetarët e saj pas dhjetë ditësh do ta caktojnë kursin e vendit të tyre drejt të ardhmes në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.

Zaev e ka njohur nënpresidentin Pence me veprimtaritë për zbatimin e referendumit dhe për thirrjet që po u bën drejtuesve politikë e në veçanti atij të opozitës, që të përfshihen në perspektivat Euro-atlantike.

Nënpresidenti Pence, ka theksuar mesazhet e presidentit Trump për mbështetjen e Uashingtonit për guximin e treguar dhe lidershipin për zbatimin e reformave të duhura në Maqedoni dhe për marrëveshjen me Greqinë që i hapën këtij vendi rrugën për integrim në NATO dhe në BE.

“Ulësen në NATO, që do të thotë pjesëmarrje e barabartë në punën e Këshillit të Aleancës dhe siguri e qëndrueshmëri për vendin tonë, e pranojmë së bashku me përgjegjësinë e përshtatjes së standardeve mbrojtëse me ato të NATO-s”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër.

Baby Boo