Nënkryetarja e LVV’së thotë se pandemia u menaxhua mirë, reagon Ganimete Musliu


Kryetarja e Komisionit për Siguri nga Kuvendi i Kosovës, Fatmire Kollçaku, pas mbledhjes së mbajtur nga ky komision tha se është bërë një menaxhim i suksesshëm me situatën pandemike në vend, gjë që solli reagime ndaj kësaj deklarate.

Deputetja Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Kollçakun se ajo po e luan rolin e qeverisë duke i fshehur të metat e saj.

Kollçaku pas kësaj mbledhje tregoi se në takimin e radhës do e ftojnë edhe drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj.

“Mbajtëm një takim të Komisionit për Siguri ku diskutua për cështje e sigurisë dhe menaxhimin e COVID-19. Ishte një takim i zakonshëm dhe deri tani kemi bërë përpjekje t’i evitojmë komisionet që janë të bazuar në rekomandimet e OBSH-së , mirëpo Kuvendi asnjëherë nuk i ka pezulluar takimet dhe në takim e rradhës do ta ftojmë drejtorin e Policisë. Konstatova që kemi pasur një menaxhim të suksseshëm si dhe kemi një siguri në nivelin e duhur në vend”, tha ajo.

Kurse Musliu e PDK’së e ka kritikuar Kollçakun se ajo po i fshehë të metat e qeverisë, duke shtuar se takimi i sotëm ka qenë i vonuar dhe i papërgatitur.

“Mbledhja u zgjat sepse u fokusuam komplet në fushën e shëndetësisë. Ka qenë një takim i vonuar dhe i papërgatitur. Kërkesa ka pasur më herët që të takohemi dhe sot u takuam pas dy muajve dhe ne jemi mbet mbrapa se si është menaxhuar situata. E tërë mbledhja u fokusua me lëvdata nga ana e VV dhe në pamundësi ne sot kemi marr vendim që në takim e rradhës ta ftojmë drejtorin e Policisë që të na njoftoj për situatën. Po ashtu kanë ndodhur shumë gjëra ku ka pasur edhe lëvizje të shumta si opozitë ne kemi ngritur shqetësimin me gjendjen në teren.Gjendja është shumë e pakënaqshme. Kryetarja e Komisionit e ka luajtur rolin e qeverisë dhe ajo nuk duhet ti fshehë të metat e qeverisë”, tha Musliu