Nënë Tereza: Bota e njeh si shqiptare, vetëm Shkupi e njeh si “SHKUPJANIA” (FOTO)


“Familja e saj kishte prejardhje shqiptare”, “E bija e një tregtari shqiptar”. Janë këto fjali që i gjen në rreshtat e parë të jetëshkrimit për Nënë Terezën, në faqet zyrtare ndërkombëtare, si ato të çmimit “Nobel” apo të Enciklopedisë Britanike. Si shqiptare Në në Tereza figuron edhe në faqen zyrtare të Vatikanit.

Ndërsa në faqen zyrtare të Shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, mund të gjesh çdolloj kurioziteti, në disa raste edhe të supozuar për të dhe familjen e saj, por asnjë rresht për origjinën shqiptare. Fraza si “Gonxhja ka origjinën nga një familje e pasur”, “Është një emër turk (Gonxhe) dhe do të thotë burbuqe ose lule trëndafili”, “lë Shkupin e saj të lindjes”, “Gonxha la shtëpinë e saj dhe qytetin e saj Shkupin”, “anëtar (Nikolla Bojaxhi) i Këshillit të Shkupit si i vetmi katolik”….

E pandryshuar ka mbetur edhe informacioni tek historiku “Dëshira që t’i bëhet homazh qytetares më të famshme të Shkupit dhe fituese e vetme e çmimit Nobel nga Maqedonia”, edhe pse Ferid Murati është një tjetër nobelist me origjinë nga Gostivari (1998). Nga tre, numri i kuratorëve që shfaqen në faqen zyrtare është bërë katër, që iu drejtohen turistëve në serbisht, anglisht, italisht, frëngjisht. Që prej inaugurimit dhe ndërrimit të drejtuesve të institucionit shumë pak gjëra kanë ndryshuar.

Shtëpia prej gati një dekade u drejtua nga Renata Kutera Zdravkovka, e apostrofuar për mungesë bashkëpunimi me pjesën shqiptare, përdorim të kufizuar të gjuhës shqipe (që nga pllaka në hyrje të saj, materialet promovuese, broshurat, aktivitetet që organizoheshin). Me kalimin e viteve pati ndonjë të punësuar shqiptar (tek dyqani i suvenirëve), ose me kontratë të përkohshme. Ish-drejtori Arian Asllanaj gjatë mandatit të tij nuk arriti të bënte ndryshime as në faqen zyrtare, por edhe sa i takon punësimeve.

“Më shumë sesa çështja e përfaqësimit të drejtë etnik, është problem i punësimit të një kuratori që do t’i drejtohet vizitorëve në gjuhën e Nënës Terezë. Mendoj se një nevojë e tillë është esenciale për vetë simbolikën e kësaj shtëpie”, ka deklaruar Asllanaj. Prej katër muajsh, Naser Curri është emëruar në krye të këtij institucioni. Ai premton një erë të re, të përligjur edhe nga aktivizmi i tij i mëparshëm sa i takon jetës dhe veprës së Nënë Terezës.

“Do të ketë ndryshime. Është një periudhë e shkurtër që jam në këtë detyrë dhe jam duke analizuar situatën se çfarë duhet të ndryshohet. Kemi angazhuar një kustose shqiptare me kontratë të vepër. Do të kemi punësime dhe risi në muajt në vazhdim”, thotë Curri. Këto ditë Shtëpia përkujtimore ka organizuar një sërë aktivitetesh me rastin e Ditëve të Nënë Terezës, i promovime librash, ekspozita e të tjera, në nder të ditëlindjes dhe vdekjes së humanistes shqiptare. (koha.mk)

Baby Boo