Nëna Nexharije: Do t’i mbylli sytë pa e ditur kush ma vrau djalin tim gazetar


Nga Bota Sot/

13 vjet nga vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, heshtë drejtësia e kapur
Tre qershori i vitit 2005 ishte dita kur gazetarit të “Bota sot” Bardhyl Ajetit iu ndal penda. Derisa gazetari Bardhyl Ajeti, po shkonte rrugës për në Gjilan më saktësisht në fshatin Bresalc, u qëllua me armë zjarri ku mbeti i plagosur. I vetmi dëshmitar i kësaj ngjarje ishte një taksist i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishje që kishe pësuar, megjithatë ky dëshmitar M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë. Pas kontrollit në Spitalin e Gjilanit dhe në atë të Prishtinës, i ndjeri një javë më pas u dërgua në Milano të Italisë, ku edhe më 25 qershor ndërroi jetë.

Tani 13 vite pas atentatit, ende nuk u gjetën vrasësit dhe nuk është ndërmarrë asgjë nga institucionet e drejtësisë. Familjarët kërkuan drejtësi, por ajo heshti si për Bardhylin, ashtu edhe për shumë të tjerë të vrarë pas luftës.
Vitet kaluan në pritje me ankth, me lotë, e me mendje gjithmonë te zbardhja e rastit të Bardhylit.

Nëna e Bardhylit shpreson te Gjykata Speciale

E sot nëna e Bardhylit, Nexharije me sy të mekur nga lotët kërkon drejtësi për të birin e saj të vogël.

“Kam humbur shpresat për djalin tim. Qe 13 vite ma vranë djalin e askush nuk u gjetë. Ai shkroi vetëm për atë që mendonte se është e drejte, e donte Kosovën e lirë ku e vërteta duhet të thuhet e të shkruhet. Gjithmonë pres të hapet dera e të hyjë Bardhyli i qeshur, shtatlartë e guximtar ,ta përqafojë e t’i themë: Çfarë ke shkruar sot?”, rrëfehet nëna e Bardhylit për “Bota sot”.

Tutje, nëna e Bardhylit thotë se kanë humbur shpresat nga drejtësia e Kosovës.

“Nuk i besojmë më drejtësisë vendore, nuk bëri asgjë për Bardhylin, tashmë shpresat dhe besimin e kam te Gjykata Speciale. Ajo po ma ngjallë një fije shprese, përndryshe do t’i mbylli sytë pa e ditur kush ma vrau Bardhylin. Po shtyj ditët e shpirtin e zemrën e kam te ai”, shton nëna e gazetarit Bardhyl Ajeti.

E vëllai i gazetarit të ndjerë, Bardhyl Ajetit, Fitim Ajeti thotë për “Bota sot”, se vëllain e tij ia kanë vrarë ata që iu ka penguar e vërteta, këtë të vërtetë që e shfaqte Bardhyli përmes shkrimeve të tij.

“Qershori i 2005 ishte dita kur vëllait tim iu ndal penda. Ja ndalën ata që ju pengonte e vërteta dhe donin te hidhnin hi syve. Hienat ia kishin vënë syrin Bardhylit, nuk e donin atë dhe shkrime e tij, ua rrezikonin fitoren që s`po e arrinin kurrë. U mblodhën hienat kokë me kokë dhe bënin plane si ta vrisnin të vërteten, si t’ia merrnin jetën Bardhylit, e ta fitonin pushtetin. Por, nuk ia arritën, sepse Bardhylit nuk i ndali shkrimet për të vërteten sepse vetëm ai ua largonte maskat hienave të cilët edhe sot qeshin paturpësisht për ligësitë që i kane bëre. Ata e dinin se sa të ishte Bardhyli gjallë ata kurrë nuk do të fitonin”, thotë Ajeti.

I pyetur se a mendon se Gjykata Speciale do të gjejë vrasësit e Bardhylit, vëllai Fitimi shprehet se beson në këtë, siç thotë ai, shpresë tjetër nuk ka sepse nga drejtësia vendore moti janë dorëhequr.

Më tutje, ai vazhdon të thotë se vrasjet politike në Kosovë kanë shuar jetën e personaliteteve të shquara intelektuale, atdhetare dhe që institucionet e Kosovës nuk u kanë dhënë sa duhet trajtim meritor.

“Krejt në fund urojmë që në këtë përvjetorë më në fund të gjenden vrasësit e Bardhylit, të dënohen nga drejtësi ata që ia provuan jetën vetëm se e tha të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, përfundon vëllai i Bardhylit, Fitim Ajeti.

Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për “Bota sot”, thonë se mos zbardhja e vrasjes së Ajetit mbetet një njollë e keqe e historisë së gazetarisë shqiptare dhe se vrasësit duhet të marrin dënimin e merituar.

“Mos zbardhja e vrasjes se gazetarit Bardhyl Ajeti vazhdon të mbetet një njollë e keqe për historinë më të re të Kosovës. Vrasja e tij, por edhe 13 gazetarëve të tjerë të vrarë, e të zhdukur në Kosovë gjatë luftës dhe pas luftës duhet që të kenë një përfundim dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar. Kalimi i një periudhe të gjatë dhe mos zbardhja e këtyre rasteve e bënë shumë të vështirë për familjet e tyre, por besoj edhe për komunitetin e gazetareve”, thuhet në përgjigjen e AGK-së për “Bota sot”.

Baby Boo