Nëna ime e bukur u go*dit për vd*ekje me thikë, 47 herë, pse policët nuk e morën babain?

Nënën time me 14 vjet e bënë nuse, me 19 kurban. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, u godit për vde*kje me thikë, 47 herë. Ishte mbrëmje, errësirë. Natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Bërtiste. Qau vëllai. Ende foshnjë, 1.5 vjeç; me sy të rritur nga lemeria, poshtë të cilëve dy liqe të zi e të pafund. Bërtita. Nëpër rrugicën tonë. Nëpër shtëpi, kulme, stacion policie, gurë kalldrëmi bëri jehonë ulërima ime. Nuk dëgjuat?

Shkruar nga: Elif Shafak
Besoj nuk dëgjuat pasi nuk erdhët. Asnjë nga ju.
Nuk erdhi askush. As fqinjët, as xhaxha policët. As politikanët që vizitojnë mahallën tonë gjatë zgjedhjeve, as gazetat që shkruajnë nga distanca, as agjentët e patundshmërive që caktojnë çmim për shtëpinë tonë të rrënuar. Askush. Po thonë Stambolli ka mbi 10 milionë. Gjiganti që është. Si mund të jetë një qytet kaq i dendur me njerëz që jetojnë ngjitas dhe njëkohësisht kaq i vetmuar, i braktisur si shkretëtirë. Habitem.

Baby Boo

Dajaku po vazhdonte nga orët e hershme të mëngjesit. Para syve tanë. Me të kapur babai për flokësh e goditi me kokë në tavolinë. Doli një tingull i plotë, i çuditshëm. Si toka kur çahet. U ça dhe rashë brenda, nga turpi dhe dhembja. Zemra m’u thye në mes. Rodhi një pikë gjaku nga balli i nënës dhe njollosi dantellën e bardhë mbi tavolinë. Në moment u mendova. Si do ta lante atë njollë nëna ime? Sërish do përpiqej; me sapun, deterxhent, ujë të ngrohtë; lythe në gishtërinj, të çara në duar; nëna ime pastronte njollat e gjakut të vet nga rrobet, çorapet e saj.

U mbylla në qoshin e dhomës. Kafshova gjuhën. M’u kyç gjuha. E shkelmoi babai; e goditi nënën në shpinë, në bark. Brenda barkut të saj po rrihte një zemër e vogël, një vëlla a një motër për mua. Po qe vajzë do ta quanim Gylizar, e djalin Jusuf. Babai nxorri shkopin. I hollë e i gjatë. Shkopi që e kishte sjellë në shtëpi për të na disiplinuar. Pas çdo lazdrimi e provonim shijen e tij. Një copë e lëkurës së nënës gjendet në atë shkop, fijet e flokut ende i ka të ngjitura aty.

Pse policët nuk e morën babain? Si nuk ndërhynë fqinjët? Pronari i marketit, kasapi, perimeshitësi, tezet, xhaxhallarët… Ku kishin humbur? Kaq shumë u frikësuan gjithë ata njerëz nga marrrëzia e një burri? Domethënë një njeri i vetëm arrin ta mund gjithë qytetin? Vërtetë?

Ra muzgu. Babai nuk u qetësua. Tik-takët e orës së murit u ndalën, babai nuk u ndal. Ishte natë. Ishte e vetmuar. Por jo e heshtur. Qau pa pushuar, derisa ra e këputur mbi kolltuk. Mbeti aty pa marrë frymë. Një ditë kisha parë një kukullë që po flinte në bërllog. Pa njërin krahë, me këmbë të këputura; edhe nëna ishte bërë si ajo kukullë, krahët i lëviznin në boshllëkun e ajrit. Vaji i vëllait nuk pushonte. As të sharat e babait. Nuk i dëgjuat? Aq të trasha ishin muret që na ndajnë?

Pastaj na mori për dore babai, “Ejani shpejt” na tha. Shkuam në polici. Vëllai me pelenë të papastruar, ten të irrituar dhe lukth të zbrazët. Edhe unë kisha uri, nuk e thashë nga frika. “Çfarë ke bërë kështu” i thanë policët babait. “Nuk të dhimbsen këta fëmijë? Kush do të kujdeset për ta?”
Vetëm në atë moment e kuptova. Nëna nuk ishte më. Nëna ime e bukur që rrezatonte me buzëqeshje, me 14 vjet nuse, me 19 kurban.