Në Shqipëri vdes një 34-vjeçare e infektuar me koronavirus


Një grua në Shqipëri, 34 vjeçe, e infektuar me koronavirus, ka humbur jetën mëngjesin e së mërkurës.

Marieta Dervishi, nga Instituti i Shëndetit Publik, dha më shumë detaje:

“Një 34-vjeçare nga Librazhdi, e cila vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi], e shtruar në shërbimin infektiv [në Tiranë] prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, pavarësisht përkujdesjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë”.

Me këtë rast, numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri shkon në 47.

Dervishi po ashtu bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet në Shqipëri kanë kryer 347 teste për koronavirus, prej të cilave 67 kanë dalë pozitive.

“Vazhdon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive”, tha Dervishi.

Numrin më të lartë të të infektuarve ditorë e ka Kruja me 18 raste; 16 të prekur janë në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje dhe nga 1 rast në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë.

Baby Boo