Në Shkup promovohet vepra “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare”


Në kuadër të bashkëpunimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), sot u promovua vepra “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare” e autorit Tahir Sezen, e përkthyer dhe përgatitur për botim në gjuhën shqipe nga Hatixhe Ahmedi.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, tha se pa një hulumtim të mirëfilltë të periudhës pesëshekullore të Perandorisë Osmane, dhe sidomos të marrëdhënieve të shqiptarëve me osmanët, nuk do të mund të shkruhet historia e shqiptarëve. Andaj kjo vepër është e një rëndësie të veçantë për historiografinë tonë. Në këtë mënyrë ne po shënojmë edhe punën e Departamentit të Studimeve Shqiptaro-Osmane në Institutin tonë, dhe njëherazi po shprehim në vepër bashkëpunimin me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, u shpreh Asani.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, tha se ndjehet i gëzuar që këtë vepër po promovohet në një nga qendrat e vilajeteve shqiptare, përkatësisht në Shkupin e Vilajetit të Kosovës. Sipas tij, vepra në fjalë është e një rëndësie të veçantë, e cila hedh dritë mbi të kaluarën tonë historike, konkretisht mbi emërvendet e vilajeteve shqiptare që ishin në kuadër të Perandorisë Osmane, dhe në këtë aspekt paraqet një vepër me interes të veçantë për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Më pas, pikëpamjet e tyre rreth veprës “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare”, i paraqitën dy studiues të kësaj fushe shkencore, Sadik Memeti nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Murtezan Idrizi nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Ata iu qasën në mënyrë koncize strukturës së kësaj vepre, si dhe rëndësisë që ka ajo për fusha të reja të studimit të kësaj periudhe historike, për të cilët ka edhe shumë hapësirë që të hulumtohet e studiohet nga specialistët e kësaj disipline shkencore.

Në fund të promovimit, Hatixhe Ahmedi, përkthyese dhe përgatitëse e veprës, falënderoi Arkivin dhe Institutin për mundësinë e promovimit në Shkup, si dhe të gjithë ata që kishin kontribuuar në forma të ndryshme, që kjo vepër të botohet sa më e kompletuar.
Ky aktivitet u zhvillua për nder të 70-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, me të cilin kohë më parë ITSHKSH nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi, për fusha me interes të përbashkët.

Baby Boo